Në konferencën për shtyp pas mbledhjes dyditore të qeverisë në Lezhë, kryeministri Edi Rama, u shpreh se po finalizohet krijimi i një shoqërie aksionere, për prodhimin e automjeteve.
Bëhet fjalë për prodhimin në Shqipëri të autoambulancave dhe mjeteve të tjera për transport rrugor udhëtarësh dhe mallrash, për nevojat e shtetit, kryesisht për shërbimet mjekësore dhe arsimore.
Rama u shpreh se ky projekt do t’i vijë në ndihmë ministrisë së Shëndetësisë, asaj të Brendshme, Agjencisë Kombëtare të Transportit si dhe për eksport.
Një projekt tjetër i madh, jo infrastrukture, por që lidhet me shfrytëzimin e infrastrukturës, është që më në fund finalizojmë këtë vit dhe hapim aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Transportit, jemi një vend që synojmë të bëhemi kampionët absolutë, tani i kam shtuar dhe fjalën “absolut” pozicionit të Shqipërisë në rajon për turizmin.
Agjencia Kombëtare e Transportit do t’i shërbejë kalimit në një nivel komplet tjetër të gjithë sistemit të transportit dhe Agjencia Kombëtare e Transportit do të mbulojë edhe një mision tjetër shumë të rëndësishëm të transportit të mësuesve dhe të fëmijëve.
Kemi filluar punën prej kohësh, por jemi në finalizim dhe besoj do ta dëgjoni në dy tre muajt në vijim, por besoj dhe më shpejt, krijimin e një agjencie aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe natyrisht edhe për eksport.
Është një projekt shumë i bukur që do të na japë mundësinë të prodhojmë për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme, nevojat e Agjencisë Kombëtare të Transportit dhe patjetër edhe për eksport, duke u bazuar tek gjenialiteti dhe tek ekspertiza e pamohueshme e një vajze shqiptare, që e njihni të gjithë dhe më të cilën jemi duke ndërtuar këtë proces me ndërmarrjen e saj modeste që sidoqoftë fiton gara ndërkombëtare për të dërguar autoambulanca nga Ukraina deri në Serbi".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd