Transmetuar më 09-01-2024, 19:27

I gjithë kabineti qeveritar, përfshirë dhe superministrin e padekretuar, Blendi Gonxhja, ka shkuar në Shëngjin me në krye Edi Ramën.

Bashkë me ta kanë shkuar dhe plot socialistë të partisë që gjithashtu Rama drejton, që nga deputetët dhe deri te drejtues sekretariatesh të PS.

Jo vetëm kaq, në këtë mbledhje dyditore shkojnë dhe plot drejtues institucionesh shtetërore.

Që të gjithë, për të raportuar para kryeministrit, i cili që në fillim të fjalës së tij ka përjashtuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Gjithastu foli dhe për direktiva që kërkohen të zbatohen në 2024 dhe vitin e ardhshëm që është elektoral, raporton noa.al.

Administrata publike, inovacioni dhe shërbimet janë tre çështjet e para të cilat do të hidhen në tryezën e diskutimeve për të identifikuar problemet.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura i pari që ka mbajtur fjalën ka qenë kreu i qeverisë, Edi Rama, pas të cilit fjalë kanë marrë edhe ministrat tjerë.

Burime nga pjesëmarrja në mbledhje thanë për noa.al se në këtë event të gjatë që do të jetë më së shumti jashtë kamerave, fjala e kryeministrit dhe ministrave, me fokus planet e këtij viti dhe atij më pas, do të pasohet nga dy socialistë të tjerë.

Ish ministri i Turizmit Blendi Klosi do të flasë për PS dhe planet e bërjes sa më masive të kësaj partie.

Ndërsa ish ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është paralajmëruar se do të flasë për qëndrimet që do të mbajë shumica socialiste ndaj opozitës protestuese dhe disa projektligjeve që janë peng i 84 votave.

Risi në këtë mbledhje është dhe shpallja e procesit të regjistrimit të pronave përmes platformës online, por detaje të mëtejshme nuk dihen. Ajo do t’i prezantohet, jo publikisht, drejtuesve të institucioneve që lidhen me çështjen, pak kohë pasi u njoftua se Kadastra kaloi tërësisht online shërbimet e saj.

Në mbledhjen dyditore do të marrë pjesë dhe Blendi Gonxhja, drejtuesi i ministrisë së re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. I cilësuar si superministri i kabinetit Rama, Gonxhja ende nuk është dekretuar nga Presidenti e po ashtu nuk është bërë shkarkimi zyrtar i ministres së Kulturës Elvi Margariti.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhe tha se “është një privilegj që vjen me përgjegjësi të jashtëzakonshme e përkushtimin për të punuar me pasion e përulësi për të shërbyer me ide e zgjidhje për më shumë qytetarë e sektorë në vend”.

Ende nuk dihet nëse do të ketë ndryshime të tjera në qeveri, pas lëvizjes së bërë dje nga Rama, i cili njoftoi krijimin e ministrisë së re, duke larguar kështu Elva Margaritin, e cila drejtonte ministrinë e Kulturës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit