Transmetuar më 09-01-2024, 16:32

Po bëhen tre vjet që demokratët janë në kufirin ekstrem të mbijetesës politike dhe për rrjedhojë, opozita është kthyer në thuajse inekzistente.

Partia Demokratike, e kthyer në parti me 2 koka e në disa periudha edhe me më shumë, po vuan të qenit në ngërç funksional.

Të gjitha strukturat e saj, nga ato të bazës dhe deri te përfaqësuesit në Parlament, janë në gje dje pezull dhe vetëm disa prej tyre, të pozicionuar krah Bashës apo Berishës.

Në këtë situatë, demokratët po e kuptojnë se bashkimi është zgjidhje e vetme që mund ta rigjallërojë këtë forcë politike e për rrjedhojë edhe opozitarizmin, sidomos në rrethanat kur pushteti kontrollohet prej mase 10 vjetësh nga një njeri i fuqishëm dhe me pushtet të gjerë

Zërat e parë këtë vit për bashkim kanë ardhur nga struktura të larta demokrate.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, një deputet që këto kohë ka qenë herë me Bashën, herë pa të dhe së fundi disi me Berishën, thotë se bashkimi është çështje aktive momentalisht dhe siguron se brenda vitit ka për tu kurorëzuar.

Bardhi thotë se po negociohet me grupimin e Berishës për bashkimin e PD-së, duke qenë shpresëplotë se viti që sapo ka nisur  do të konkretizojë procesin.

Por si mund të arrihet bashkimi në kushtet kur Berisha është në arrest shtëpie nga njëra anë dhe Lulzim Basha vazhdon taktikën tërhiq e mos këput duke kufizuar daljet përveçse me minifushata?

Gazment Bardhi nuk e sheh arrestin shtëpiak të Berishës si pengesë për procesin e bashkimit të demokratëve.

Ndërkaq masa e arrestit në shtëpi për Berishën, nuk shihet nga Bardhi si pengesë për procesin e bashkimit.

Ai thotë madje se negociatat që kanë filluar, do të ravijëzohen më shumë gjatë javës që ka nisur, përmes vendimmarrjes që do të bëjnë deputetët demokratë në mbledhjen e grupit parlamentar.

Vendimarrja e deputetëve demokratë do të përcaktohet në mbledhjen e grupit, që Bardhi pritet të thërrasë këtë javë.

Edhe Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Rustem Gjata, ish kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se mes demokratëve ka vetëm një zgjidhje, bashkimi.

Sipas tij, PD-ja e vërtetë s’ka asnjë betejë me Bashën sepse ai ka mbetur vetëm me 8 deputetë, të cilët edhe ata po kërkojnë që të bashkohet PD.

“Nuk ka betejë me Bashën. Ai ka ngelur me 8 deputetë. Ata po kërkojnë bashkimin dhe kjo po ndodh", thotë z. Gjata.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd