Transmetuar më 07-01-2024, 23:50

Vlorë, 7 Janar 2024 /noa.al – Djali 23 vjeçar nga Vlora, Gëzim Sinomataj, emigrant në Belgjikë dhe i kthyer për festat e fundvitit në atdhe, u ekzekutua në ballkonin e shtëpisë përmes një atentati mafioz të mirëorganizuar që dyshohet se u nxit nga hakmarrja. Dyshimi tjetër është se krimi u krye nga vrasës me pagesë.

Ajo që alarmon edhe më shumë në vrasjen sonte të Sinomataj është mënyra gjithnjë e më sofistikuar që po përdoret nga krimi për të larë hesapet e veta.

Një krim i paprecedentë në vend ky ekzekutim me snajper, duke demonstruar kështu rritjen dhe mirëorganizimin e krimit mafioz shqiptar.

Skema e krimit 

Viktima është Gëzim Sinomataj i datëlindjes 3 gusht 2000, nga Vlora dhe i kthyer këto ditë nga Belgjika, raporton noa.al.

Krimi i shëmtuar ndodhi sonte rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, te një banesë mu përballë poliklinikës qendrore të qytetit.

Në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri Gëzim Sinomataj, 23 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.

Krimi dyshohet se pati këtë skemë: Autori kryesor, me një snajper në dorë është stacionuar tek një objekt që shihte përballë me vilën trekatëshe ku jetonte Sinomataj dhe sapo djaloshi 23 vjeçar ka dalë në ballkonin, ka hapur zjarr duke i marrë jetën.

Menjëherë më pas, në koordinim me autorë të tjerë, ka rendur drejt makinës BMW dhe së bashku janë larguar që andej duke shkuar në lagjen "24 Maji". Atje i kanë vënë flakën mjetit duke u larguar më pas me një tjetër makinë.

Ata kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, duke e djegur dhe janë larguar duke përfituar nga errësira.

Forcat Shqiponja, Operacionale, Delta, e Forcat Kombëtare të Sigurisë janë në ndjekje të autorëve, të ngjarjes ku mbeti i vrarë me armë zjarri Sinomataj.

Është rrethuar zona në një perimetër të gjerë të sigurisë dhe vijon kontrolli, citon noa.al një njoftim të dytë policie.

Në mbështetje dhe Forcat Renea për kontrollin e zonës ku dyshohet se janë larguar autorët.

Vdekja e të riut Sinomataj erdhi rreth një vit pasi atij i ishte bërë një tjetër atentat kur pranë shtëpisë iu vu lëndë plasëse.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.

Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Delta Forcë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd