Transmetuar më 07-01-2024, 19:24

Kursi i dobët i këmbimit të monedhës europiane në raport me Lekun duket se ka nisur rikuperimin këtë fillim vit. 1 Euro këmbehet me 104.7 Lekë në pikat e këmbimit valutor, duke fituar kështu 1.39 pikë vetëm për javën e parë të muajit Janar.

Edhe Dollari amerikan e ka nisur vitin duke u forcuar në raport me Lekun me të paktën 1.51 pikë, për t’u këmbyer me 95.3 lekë. Paundi britanik dhe franga zvicerane këmbehen pothuajse në të njëjtat pozita që ishin para fundvitit 2023, ndonëse kanë vijuar fuqizimin e lehtë.

Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë ka parashikuar të ndërhyjë në tregun e brendshëm duke tërhequr nga tregu i brendshëm një sasi prej 330 mln eurosh për efekt të rezervës së saj valutore.

Sipas kalendarit të bërë publik që prej fundit të vitit që lamë pas, janë planifikuar të zhvillohen 20 ankande për të blerë Euro në treg.

Ndërhyrjet e para nisin në 16 Shkurt 2024, ku do të kërkohet të blihen deri në 10 milionë euro, dhe kalendari i ankandeve planifikohet të mbyllet më 20 dhjetor 2024.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd