Transmetuar më 06-01-2024, 21:26

Nja dy orë pas mesditës, trageti mbërriti në Kotorr, afër Hercegnovit të Malit të Zi, një vend turistik që shitet gjithë kohës nga agjencitë turistike të Shqipërisë për udhëtime dy ose tre ditore.

Nga trageti doli dhe makina me targa gjermane ku ndodheshin tre djem nga Shqipëria, Klodjan Meaj, Azem Dervishi, Doris Kopaci.

Ata ishin duke vijuar një udhëtim të lodhshëm drejt Gjermanisë.

Befas, teksa makina doli nga trageti, nja gjashtë apo shtatë burra, veshur me uniformë ushtarake, afrohen te mjeti dhe pa komunikuar diçka, nisën ta godasin atë.

Moment absurd që nxiti normalisht personat në bord të dalin jashtë për të kuptuar se ç’po ndodhte.

Dy prej tyre dolën dhe nisën të pyesin të shqetësuar përse po e godisnin mjetin. Por ajo që pasoi ishte edhe më e rëndë.

Që të dy u grushtuan dhe u shkelmuan disa herë nga paloushtarakët e dhunshëm, duke pësuar plagë në fytyrë, kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Të gjendur para një fakti absurd, ajo që pasoi ishte kontakti i të dëmtuarve me policinë lokale në Hercegnovi. Atje, një zyrtar konstatoi dëmtime të shkaktuara nga dhuna fizike.

Policia malazeze thotë se po e heton ngjarjen, por nuk ka thënë asgjë konkrete.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka shprehur vetëkënaqësi për faktin se mbi ngjarjen reagoi edhe Kryeministri i Malit të Zi Milojoko Spajic.

Balla tha edhe se zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Danilo Šaranović "pas ngjarjes së ndodhur në zonën e Herceg Novit, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake".

Por asgjë nuk tha as Balla se çfarë ndodhi me këta tre djem. Ai u mjaftua të thotë në deklaratën e tij se i ka kërkuar homologut të tij malazez informacion lidhur me ngjarjen, ndërsa ka falënderuar Policinë e Malit të Zi për reagimin e menjëhershëm, pa qartësuar se çfarë reagimi ka pasur kjo polici.

Policia e Shtetit doli me një deklaratë të gjatë mbi ngjarjen:

"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Mal të Zi, ku janë dhunuar tre shtetas shqiptarë, nga disa shtetas të panjohur, sqarojmë se:

Sapo kanë marrë dijeni për këtë ngjarje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe Drejtori i Departamentit për

Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në Policinë e Shtetit, kanë komunikuar menjëherë me homologët në Malin e Zi, për t’u njohur me rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për t’iu ofruar ndihmë shtetasve shqiptarë.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komunikuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, për të marrë masa që autorët e kësaj ngjarjeje të kapen dhe të vihen përpara drejtësisë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit. Shtetasit shqiptarë K. M., A. D. dhe D. K. kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit.

Të tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike.

Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim.

Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit.

Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi iu ka vënë në dispozicion avokat, shtetasve shqiptarë.

Homologët malazezë i kanë siguruar drejtuesit e Policisë së Shtetit, se të tre shtetasve shqiptarë iu është ofruar ndihma dhe asistenca e nevojshme dhe se Policia po kryen hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për të cilën, deri tani, janë shoqëruar disa shtetas.

Tre shtetasve shqiptarë, pasi të bëjnë kallëzim, do t’iu vihen në dispozicion fotografi të autorëve të dyshuar, me qëllim identifikimin e tyre dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.

Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me homologët malazezë, për veprimet që po kryhen për zbardhjen e kësaj ngjarjeje", thuhet në njoftim.

Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi ishte më konkrete në reagimin e saj. Duke pohuar se ajo po ndjek nga afër ngjarjen e pasdites së sotme, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi, sqaron dinamikën e mëvonshme:

"Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor.

Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimim e autorëve.

Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze."

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd