Transmetuar më 01-01-2024, 12:20

Tiranë, 1 Janar 2024 /noa.al- Agata Carbonara, 51 vjeçe, është shtetasja italiane, turiste në Shqipëri,  e cila u bë viktima e parë e plagosjes për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit për vitin 2024 në Shqipëri.

Faji i vetëm i Agatës që u plagos në minutat e para të 2024 ishte se ajo ndodhej në qendër të Tiranës, në bulevardin Zogu I, pak pas ndërrimit të viteve.

Një plumb i shtënë nga lart e mori në trup duke bërë që të përfundojë në urgjencën spitalore.

Ngjarja ndodhi natën duke gdhirë dita e sotme, rreth orës 00:35, në bulevardin "Zogu I", raporton noa.al

Policia tha se shtetasja e huaj është plagosur me armë zjarri, me vrimë hyrje nga lart-poshtë, me burim zjarri ende të paidentifikuar.

Dyshohet se plaga mund të jetë shkaktuar nga një predhë e kalibrit të vogël, e ardhur nga lartësia.

Agata Carbonara, 51 vjeçe, ndodhet në spital, ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorit po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Për këtë ngjarje, policia tha se do të ketë informacion më të zgjeruar pas sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe mekanizmit të ndodhjes së ngjarjes. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd