ITALI- Një faturë uji e fryrë e shkaktuar nga gabimi i kompanisë i kushtoi jetën një pensionisteje 88-vjeçare në Itali. E moshuara, e cila u trondit kur dëgjoi shumën prej më shumë se 15 mijë euro, vdiq në spitalin e Sanremos pas disa ditësh.
Siç raportojnë mediat e huaja, gjithçka filloi pasi ajo mori një faturë të pabesueshme uji prej 15,339 euro. E moshuara u sëmur pak minuta, pasi nusja i lexoi detajet e faturës gusht-tetor, e cila u mor në bankë më 14 nëntor dhe u pagua nga banka automatikisht, duke ia marrë të gjitha paratë që kishte në llogarinë e saj rrjedhëse.
Më vonë u konstatua se konsumi maksimal i shtëpisë së gruas ishte në fakt vetëm disa metra kub me një tarifë prej vetëm 55 eurosh. Ujësjellësi menaxhohet nga një kompani jashtë komunës Camporosso, e cila e pranoi menjëherë gabimin.
“Fatura është llogaritur në bazë të një leximi të gabuar të fotos. Konsumimi i saj aktual ka qenë 55 euro. Shuma e paguar tashmë është kthyer”, tha kompania.
Megjithatë, shpjegimi dhe pranimi i gabimit nuk do të thotë asgjë për familjarët e saj, të cilët kërkojnë të zbardhet e vërteta dhe të vërtetohen përgjegjësitë e atyre që kanë kryer gabimin. I tronditur dhe në të njëjtën kohë i kujdesshëm kryetari i bashkisë së qytetit tha se duhen bërë verifikime nëse e moshuara vdiq nga tronditja që i shkaktoi ky lajm.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd