Transmetuar më 19-12-2023, 16:20

Punonjësit e pesë institucioneve në Prishtinë protestuan para bashkisë, duke kërkuar kushte më të mira pune.

Zyrtarë të Teatrit “Dodona”, Arkivit të Komunës së Prishtinës, Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Qendrës Kulturore për Rini dhe Zjarrfikësit, kanë protestuar para objektit të Komunës së Prishtinës.

Protestuesit kanë kërkuar kushte më të mira në punë dhe ndalimin e ndikimit nga personat përgjegjës.

Kryetari i Shoqatës Sindikale, Ahmet Gashi, ka theksuar se prej dy vitesh po i parashtrojnë kërkesat e tyre të cilat kanë të bëjnë me hartimin e rregullores për sistematizimin e vendit të punës.

Sipas tij, Komunës së Prishtinës i mungon një rregullore e tillë dhe përshkrimi i detyrave të punës i mungon gati çdo punëtori.

Gashi ka theksuar edhe dy kërkesa të tjera të cilat përfshijnë zbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur dhe zbatimin e vendimeve të Kuvendit të Komunës.

Kërkesa tjetër e protestuesve ka të bëjë me krijimin e kushteve më të mira të punëtorëve të Komunës së Prishtinës.

Në protestë u tha se nëse nuk ka ndonjë reflektim nga kryetari Përparim Rama, do të vazhdojnë me masa të tjera, duke përmendur edhe grevën.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Pavarur së Administratës Publike, Ali Gashi ka deklaruar se po t’i kishin lënë udhëheqësit e komunës vetëm 4-5 darkat e tyre, do të ishin mbuluar kërkesat e tyre. Gashi u bëri thirrje protestuesve që të kërkojnë të drejtat e tyre.