Transmetuar më 14-12-2023, 17:42

Lulzim Berisha, kreu i ish-bandës së Durrësit i dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2012, është arrestuar në Spanjë.

Operacioni "Saint Joan" u njoftua nga Policia e Shtetit në kuadër të bashkëpunimit të FAST Albania me Fast Spanja.

Zyrtarisht u tha se u vendos në pranga një nga "shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar për rrezikshmëri të lartë shoqërore".

Autoritetet deklaruan se po punojnë për të plotësuar dokumentacionin me qëllim ekstradimin e Berishës drejt Shqipërisë.

Lulzim Berisha u dënua me burgim kapital për disa krime të rënda si kreu i ish-bandës së Durrësit.

Organizata e drejtuar prej tij është akuzuar për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit e Arjan Pajës; Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames.

Më 16 korrik 2014, Gjykata e Lartë e rrëzoi vendimin për burgim të përjetshëm, duke e dënuar Lul Berishën përfundimisht me 25 vjet burg.

Ai duhet të vuajë edhe 5 vjet dënim, i cili iu konvertua në shërbim prove nga Gjykata e Apelit e Durrësit para se të shprehej kundër Gjykata e Lartë.

Ministri Balla: Pandëshkueshmëria do të marrë fund

"Sundimi i ligjit vijon të godasë në Shqipëri e kudo, mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet.

Përgëzoj Policinë e Shtetit, ekipin e Fast Tirana të cilët në bashkëpunim me Fast Madrid, të kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Lulzim Berisha në Alicante, Spanjë, një person i kërkuar nga drejtësia në Shqipëri," reagoi ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Kalvari me drejtësinë

Lulzim Berisha u arrestua në 6 prill 2006, ndaj tij Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza, përfshirë krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera pas trazirave të vitit 1997 dhe deri në vitin 1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate.

Organizata e drejtuar prej tij akuzohej për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit, Arjan Pajës, Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames. Vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli.

Por, Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm Berishës dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Lulzim Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para se t’i përfundonte afati.

Në vitin 2020 Berisha është shpallur në kërkim nga SPAK, për krime të tjera të rënda, të ndodhura 17 vite më parë, por të zbardhura pas dëshmiev të të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi.

Më pas, më 7 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë vendosi rikthimin në burg të Lulzim Berishës.

Edhe Gjykata Kushtetuese, më 27 maj 2022, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë për rikthimin në burg të ish-kreut të bandës së Durrësit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd