SHKUP-Opozita maqedonase për shqyrton mundësinë e mospjesëmarrjes në Qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut që duhet të nisë punën nga 28 janari 2024, apo 100 ditë para zgjedhjeve të rregullta parlamentare që duhet të mbahen më 5 maj, bazuar në marrëveshjen ndërmjet partive politike të arritur më 4 dhjetor.
Qeveria teknike ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, me pjesëmarrjen edhe të VMRO DPMNE-së, e cila duhet të nominojë kandidatët e saj për ministër të Punëve të Brendshme, të Punës dhe Politikës Sociale, si dhe tre zëvendësministrave.
VMRO DPMNE-ja po diskuton pozicionin e saj në qeverinë teknike për shkak të marrëveshjes mes LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që kryeministër teknik të jetë Talat Xhaferi, aktualisht kryetar i Kuvendit.
“Në ditët në vijim organet e partisë do të mblidhen dhe do të marrin vendimin përfundimtar nëse partia do të jetë ose jo pjesë e Qeverisë teknike”, ka deklaruar Antonio Milloshoski, deputet dhe anëtar i Komitetit ekzekutiv të VMRO DPMNE-së.
VMRO-ja akuzon BDI-në për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion, ndërsa Xhaferin për shkelje të ligjeve në Kuvend.
Por, deputeti i kësaj partie Antonio Milloshoski, thotë se ai personalisht mendon se VMRO-ja duhet të jetë pjesë e qeverisë për të pamundësuar siç thotë, “synimet e pushtetit aktual për falsifikimin e zgjedhjeve”.
“Vlerësoj se kur qeverinë e udhëheq një njeri si Talat Xhaferi, i cili shumë herë ka shkelur rregulloren e Kuvendit, atëherë ai që ka ndërmend të mos marrë pjesë në Qeverinë teknike vetëm do t’i jepte më shumë shanse këtij pushteti për të bërë keqpërdorime në zgjedhje. Prandaj, vlerësoj se VMRO-ja do të duhej të merrte pjesë në qeverinë teknike me qëllim që të pamundësojë manipulimin e zgjedhjeve nga LSDM-ja dhe BDI-ja”, ka thënë Millosheski.
Bazuar në Ligjin për punën e qeverisë teknike, kandidatin për kryeministër duhet ta propozojë partia me numrin më të madh të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2020 numrin më të madh të deputetëve e kishte koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja me gjithsej 46 deputetë, ndërsa 44 koalicioni opozitar, por si parti politike numrin më të madh prej 38 deputetësh e ka VMRO DPMNE-ja kundrejt 31 deputetëve të LSDM-së dhe 13 deputetëve të BDI-së.
Por, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se marrëveshja e partive në pushtet për caktimin e Talat Xhaferit për kryeministër teknik është në përputhje me ligjin, pasi sipas tij, LSDM-ja dhe BDI-ja kanë numrin më të madh të deputetëve, andaj edhe kishin marrë mandatin për formimin e qeverisë së rregullt nga presidenti Stevo Pendarovski në vitin 2020.
Kovaçevski: Pozita e kryeministrit u takon partive të koalicionit
“Së pari nuk po shkelet ligji sepse edhe qeveria e tanishme dhe qeveria e kaluar janë qeveri koalicioni bazuar në mandatin që i jep presidenti i shtetit koalicionit që ka të paktën 61 deputetë në Kuvend, kështu që nuk mund të flitet për shkelje të ligjit”, tha kryeministri Kovaçevski.
Lidhur me paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së që të mos nominojë ministrat e saj në qeverinë teknike, kryeministri tha se është obligim ligjor për partitë dhe këtë duhet ta përmbushë edhe opozita.
“Është detyrë e të gjitha partive politike të marrin pjesë në një qeveri që duhet t’i zhvillojë zgjedhjet në nivel teknik. Me këtë do të kemi një proces demokratik që nuk do të ketë asnjë njollë. Besoj se të gjitha partitë në përputhje me ligjin duhet të caktojnë përfaqësuesit e tyre në qeverinë teknike”, tha Kovaçevski.
BDI: Qeveri pa parti shqiptare nuk do të ketë
Nga BDI-ja kanë thënë se me “caktimin e Talat Xhaferit për kryeministër teknik, BDI-ja po e përmbush premtimin e saj për kryeministrin e parë shqiptar”.
Sa i përket reagimit të opozitës maqedonase, nga BDI-ja thonë se “qeveri pa parti shqiptare nuk mund të ketë”.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, më 5 maj, kurse rrethi i parë i zgjedhjeve për president është caktuar më 24 prill.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd