
Pa një bashkëshort në krah, pa përkrahjen e familjes dhe me një fëmijë të vogël në duar, jeta e Kodianës nuk ka qenë aspak e lehtë. Historia e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan kalon mes dhunës, vështirësive, vetmisë dhe sakrificave.
Pas ardhjes së djalit në jetë Klodiana tregoi se fillimisht ishin kolegët e punës që iu kthyen në një familje duke e ndihmuar me qiranë e shtëpisë. Por kur Mibleri ishte 2 vjeç, në jetën e tyre hyri një shpresë që u kthye në nënë për të dy që kujdesej edhe për Klodianën e sëmurë.
Klodiana: Unë sot kam ftuar një person që më ka mbështetur pasi çuni ka qenë 2 vjeç, ka ardhur, ka ndenjur aty me qira dhe unë i them “nënë” se “nënë” i thirri çuni që kur erdhi dhe unë i them “nënë” se për mua u bë një nënë.
Ardit Gjebrea: Për çfarë të ndihmoi?
Klodiana: Për gjithçka. Më mbante fëmijën, qëndronim bashkë, u bë familje, ajo ka qenë nënë për mua. E gdhinte me mua sa herë që sëmuresha unë, ajo e gdhinte. Më mbante çunin kur kisha nevojë që unë rrija në spital dy ditë, e mbante ajo përgjigjej. Shumë, për të gjitha drejtimet kemi qenë një familje.
Ardit Gjebrea: Po ti pse rrije në spital, ndonjë problem shëndetësor?
Klodiana: Unë kam anemi dhe shqetësimi, ankthi, edhe kequshqyerja që gjithmonë aq financë sa kisha doja që t’i përkushtohesha fëmijës, mos të arrinte fëmija në gjendjen time. Unë kam qenë 52 kile kur jam martuar.
Ardit Gjebrea: Po sot?
Klodiana: Sot unë jam 34 kile.
Në prapaskenën e studios ndodhet edhe djali 6-vjeçar i Klodianës, Mibleri. Pas dakordësimit me Klodianën, moderatori Ardit Gjebrea e fton në studio dhe menjëherë vihet re energjia e jashtëzakonshme e Miblerit. Pas rrëfimit të nënës së tij, përgjigjja e vogël për profesionin e së ardhmes merr edhe më shumë kuptim sepse dëshira është që të bëhet doktor./tvklan.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





