
Prej dy ditësh moti i keq ka përfshirë sërish vendin, duke sjellë reshje shiu dhe dëbore. Në fshatin turistik të Dardhës janë regjistruar reshje me intensitet të lartë, të cilat vijojnë ende, ndërsa trashësia e dëborës ka shkuar rreth 5 cm.
Në aksin rrugor Korçë – Kapshticë ka rreshje me intensitet të ulët, ndërsa në terren ka borëpastruese që po bëjnë të mundur pastrimin dhe kriposjen e të gjitha zonave.
Edhe në zonën e Voskopojës kanë filluar reshjet e dëborës me intensitet mesatar. Aktualisht nuk ka probleme në qarkullim apo ndërprerje të energjisë elektrike.
Në qarkun e Dibrës kanë nisur mbrëmjen e sotme reshjet e deborës. Gjithashtu edhe në bypass-in e Murrizit pjesë e rrugës së Arbrit, reshjet kanë qenë prezente, dhe kjo ka sjellë probleme me qarkullimin e automjeteve në ketë segment rrugor. Për mbajtjen hapur të qarkullimit janë vendosur në dispozicion 2 borëpastruese nga firma që ndërton rrugën e Arbrit.
Reshjet kanë nisur edhe në Bulqizë e Dibër por momentalisht nuk raportohet të ketë probleme sa i përket qarkullimit të automjeteve.
Policia Rrugore e Qarkut Dibër këshillon drejtuesit e mjeteve që përdorin aksin e rrugës së Arbrit në drejtim të Tiranës apo anasjelltas të jenë të pajisur me goma dimërore dhe të mbajnë me vete antirrëshqitës, pasi nëse reshjet vazhdojnë me intensitet mund të ketë probleme në orët në vijim.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





