Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e sotme ka vendosur që për kryeministër teknik të propozojë kryeparlamentarin aktual Talat Xhaferi.
“BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër i Qeverisë e cila do të jetë në fuqi nga fundi i janarit e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, deklaroi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
Lidhur me koalicionet parazgjedhore të mundshme, sipas Osmanit organet e partisë kanë autorizuar Ahmetin që të vazhdojë negociatat dhe t’i propozojë partisë përcaktimin me të cilin do të shkohet në zgjedhje.
“Ne i analizuam të gjitha opsionet dhe variantet e mundshme për pjesëmarrje, si parti e vetme dhe si pjesë e frontit Evropian dhe u autorizua kryetari Ali Ahmeti t’i vazhdojë bisedimet dhe t’i propozojë partisë një vendim i cili do të aprovohet në organet e partisë”, shtoi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së, raportojnë mediat në Maqedoninë e Veriut.
Në kuadër të kryesisë qendrore të BDI-së është diskutuar edhe për zgjedhjet e brendshme partiake që duhet të pasojnë. Pikë diskutimi në këtë kuadër kanë qenë edhe zgjedhjet presidenciale.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd