Transmetuar më 06-12-2023, 14:17

Andrea Pirlo është një legjendë e futbollit italian. Pasi u rrit në Brescia, u evidentua me Interin dhe Reggina, "Maestro" fitoi gjithçka me Milanin dhe shijoi njëfarë kënaqësie ekstra me Juventusin, përpara se ta përfundonte karrierën në MLS.

Kuqezinjtë “ngjyrosën” pjesën më të suksesshme të karrierës së tij, por në ato vite Pirlo ishte dëshira e trajnerëve në të gjithë Europën. “Pas Calciopoli ne sapo kishim fituar Kupën e Botës, nuk e dinim se si do të rifillonte futbolli italian. Unë kisha nënshkruar tashmë kontratën me Real Madridin, por më pas Milani rifilloi nga Seria A dhe Liga e Kampionëve, kështu që zgjodha kuqezinjtë", – zbulon Pirlo.

Disa vite më vonë, klubi tjetër i madh spanjoll, Barcelona, ​​gjithashtu u përpoq ta merrte atë në La Liga: "Pas trofeut Gamper, Guardiola donte të më takonte në dhomën e tij të zhveshjes për të më bindur që t’i bashkohesha te Blaugranët. Në vend të kësaj ne po flisnim gjithashtu për kalimin e Ibrës te Milani, çka në fund u realizua. Edhe unë qëndrova, gjithashtu te kuqezinjtë”, – ka komentuar Pirlo në “Radio TV Serie A”.

Megjithatë, aventura te Milani solli trofe dhe një zhgënjim në lamtumirën e fundit: "Me Milanin fitova gjithçka, edhe nëse trofeu më i rëndësishëm ishte Liga e parë e Kampionëve. Pas finales së Stambollit kam menduar edhe të heq dorë nga futbolli, por në ato vite pata fatin të përjetoj momente të mrekullueshme, edhe falë një grupi fantastik bashkëlojtarësh dhe mister Ancelotti. Është e trishtueshme mënyra se si përfundoi, por në atë kohë te Milani, lojtarët mbi të 30-tat kishin vetëm kontrata 1-vjeçare. Ndjeva se mund të jepja ende shumë".

Nga atje te Juventusi dhe titujt e tjerë kampionë si protagonist: "Kjo ishte hakmarrja ime, sepse doja të tregoja se isha ende një lojtar i fortë. Kam fituar 4 tituj kampioni të Serie A me bardhezinjtë dhe luajta përsëri në një finale të Champions League. Me Conten kalova mjaft mirë, ishte i pari që më bëri të filloj t’i analizoj situatat në fushë. Prej andej pothuajse fillova të mendoj si trajner. E kam model nga mënyra se si ai menaxhon stërvitjen dhe lojtarët".

Karriera e tij si trajner filloi në stolin e Juventusit me dy trofe në një sezon. Tani është te Sampdoria: "Të trajnoja bardhezinjtë ishte një përvojë e madhe. Ishte një grup i ri dhe fillimi i një rrugëtimi. Nuk jam penduar. Të stërvitësh dikë si Cristiano Ronaldo të bën të kuptosh se si të bëhesh numri 1 në botë. Një profesionist në çdo drejtim. Tani te Sampdoria kemi filluar një punë të gjatë, shpresoj të arrijmë objektivat tona".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd