Transmetuar më 02-12-2023, 00:33

Një djalë shqiptar vetëm 27 vjeç duhet të qëndrojë 16 vitet e ardhshme në burg pa mundësi ulje dënimi pasi Gjykata në Greqi vendosi ta shpallë fajtor për vdekje në aksident të Emës, një vajzë e re greke.

Vendimin e dha gjykata penale e Apelit në Selanik, raporton noa.al.

Djali 27 vjeçar nga Shqipëria ishte duke udhëtuar me mjetin e tij kur plagosi për vdekje dhe braktisi 21-vjeçaren Emën, nëntorin e kaluar, në Kamarë, në qendër të Selanikut, raporton noa.al.

Vendimi i dënimit ishte unanim dhe po ashtu edhe vendimi i jurisë për fajësinë për veprën e drejtimit të automjetit të rrezikshëm me pasojë vdekjen, lënies së mjetit motorik dhe drejtimit pa patentë.

Sipas vendimit, ankimi nuk ka fuqi ndaluese në ekzekutimin e dënimit, me pasojë që 27-vjeçari i dënuar të kthehet në burg për 16.5 vjet.

Gjatë gjykimit të saj, prokurorja publike shprehu bindjen se shoferi i akuzuar ishte duke ecur mbi shpejtësinë e lejuar, përndryshe – siç tha ajo – nuk do ta hidhte këmbësoren në ajër.

“Ai nuk po ecte as me 104 km/h (shpejtësia e vlerësuar nga eksperti) dhe as me 55 km/h (shpejtësia sipas këshilltarit teknik). E vërteta është diku në mes. Shpejtësia ishte e rëndësishme për të shkaktuar këto lëndime”, vuri në dukje ajo.

Prokurorja foli edhe për vendimin e prindërve të Emës për të dhuruar organet e saj vitale pas vdekjes.

“Ishte plagosur rëndë, pas pesë ditësh vdiq. Prindërit, pavarësisht dhimbjes, gjetën forcën për t’i ofruar jetë njerëzve të tjerë në nevojë, duke i dhuruar organet e saj jetësore”, ishin fjalët e prokurores.

Raporti i lexuar prej saj, i pasuar me raporte të tjera për jetën e Emës, shkaktoi një ngarkesë emocionale tek prindërit, të cilët shpërthyen në lot në sallën e gjyqit.

I riu shqiptar dhe Ema e ndjerë

Gjatë fjalës së tij, 27-vjeçari ka theksuar se papritur ka parë këmbësoren përballë dhe nuk ka mundur të reagojë. Ai ka mohuar që pasi ka aksidentuar studenten, e ka goditur sërish në tentativë për t’u larguar, ndërsa i ka kërkuar falje familjes së saj që e ka braktisur pas ngjarjes teksa u vu nën panik.

I riu shqiptar tregoi se makinën e kishte marrë në përdorim prove për pak ditë në planin për ta blerë. Ai shtoi se kishte kontrolluar mjetin për gjendjen teknike, por "do të bëja edhe një kontroll te një mekanik makinash për ta blerë atë më pas për vlerën 4 mijë euro”.

Teksa tregoi momentet tragjike, djali shqiptar tha:

"Kisha ndaluar në semafor pranë universitetit. Më tej vazhdova rrugën. Isha me 55 km/h. Nuk e pashë, ajo doli befas. E pashë në një metër distancë. Nuk e prisja të dilte. Kur e godita ajo ishte në zonën time të trafikut", tha i riu dhe shtoi se kushdo që të ishte aty “nuk mund të bënte asgjë”.

Makina e aksidentit

Duke iu referuar vendimit të tij për t’u larguar nga vendi i aksidentit, ai tha se ishte i frikësuar dhe nuk dinte si të sillej.

"Ishte faji im. E humba…”, tha ai, ndërsa mohoi se duke u larguar nga skena e aksidentit e ka goditur sërish Emën.

Ema, studentja që vdiq në aksident

Siç tha, ka marrë vesh të nesërmen se 21-vjeçarja ishte shtruar me plagë të rënda në spitalin “Papageorgiou”.

“Doja të dorëzohesha”, tha ai, gjë që më në fund e bëri 24 orë më vonë.

I akuzuari ka rrëfyer se nuk kishte patentë për shofer në Greqi. Ai tha se prej 13 vitesh jeton në këtë vend duke punuar në industrinë e ndërtimit.

Vodhën 1500 euro nga çanta e 21-vjeçares, ndërsa ajo ishte gjakosur

Ndërkohë, një ngjarje vërtet e paimagjinueshme ka ndodhur pak minuta pasi studentja 21-vjeçare u aksidentua në Selanik.

Teksa ishte e gjakosur dhe pa ndjenja në mes të rrugës Egnatia, dikush dyshohet se ka vjedhur një sasi të madhe parash nga çanta e saj!

Denoncimin për vjedhjen e konfirmon edhe avokati i familjes, duke theksuar se do të hapet një çështje e veçantë, ndërkohë që po hetohet nga Policia greke.

“Tashmë është dhënë një urdhër nga prokuroria për të nisur hetimet për këtë ngjarje të dytl”, tha ai.

Konkretisht bëhet fjalë për 1500 euro në total, të cilat 21-vjeçarja me siguri ia kishte marrë familjes përpara se të udhëtonte për në Selanik nga Chania, ditën fatale.

Shuma e madhe e parave nuk u gjet as në çantën e vajzës dhe as në rrobat që kishte veshur kur ajo u përfshi nga makina që drejtohej nga 27-vjeçari.

Një nga mundësitë që po shqyrtohet shumë seriozisht, në lidhje me vjedhjen e shumës së madhe të parave, është se ajo ka ndodhur pak minuta pas aksidentit, teksa vajza ka mbetur e përgjakur në rrugë dhe pa ndjenja.

Personat që kanë nxituar për të ndihmuar dyshohet se kanë zbrazur çantën e vajzës në tokë për të gjetur të dhënat e saj personale dhe aty dikush ka arritur të marrë 1500 eurot. Familja e viktimës nuk ka raportuar për vjedhje të sendeve të tjera, përveç shumës së parave.

/noa.al