
“Do të pres Real Madridin deri në ditën e fundit”. Kështu tha së fundi Carlo Ancelotti. Është e qartë se kjo deklarata do ta ketë futur kombëtaren braziliane në një gjendje agjitacioni të dukshëm. Në Rio de Janeiro presin me krahë hapur Carlon, të bindur se ai do të jetë trajneri i radhës i “Seleção”.
Ose të paktën kështu mendon Ednaldo Rodrigues, president i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), i cili prej kohësh i konsideron të mbyllura pozitivisht negociatat me Ancelottin. Por, mesa duket, nuk është kështu. Carlo vërtet iu ka garantuar brazilianëve disponueshmërinë e tij, por me një kusht: mosrinovimin e kontratës që e lidh atë me Real Madridin deri më 30 qershor.
Në “Casa Blanca” po mendojnë seriozisht t’i ofrojnë një marrëveshje të re trajnerit italian. Nga 1 janari 2024, Carlo do të jetë i lirë të negociojë me një punëdhënës të ri, Real Madridi e di këtë, po përballet me këmbënguljen e Brazilit, i tronditur nga tri humbjet e kombëtares, një rekord negativ në kualifikueset e Kupës së Botës, në duart e përkohshme të Fernando Diniz si trajner.
Sipas radios madrilene “Onda Cero”, Florentino Perez ka përgatitur një ofertë rinovimi për Ancelottin, i cili është gati ta dëgjojë dhe shumë i prirur ta pranojë. Kjo është një ndjesi që krijohet nga deklarata e fundit e Carlo, e shprehur shumë qartë, duke shqiptuar fjalët me të cilat nisëm shkrimin: “Po, do ta pres Real Madridin deri në ditën e fundit”.
Ai iu përgjigj pyetjeve të tjera mbi këtë temë duke thënë se nuk dëshiron të flasë për të ardhmen e tij dhe se është krenar për interesimin e “Seleção”. Topi është qartazi në fushën e Real Madridit, tani mbetet në duart e Florentino Perez nëse synon ta vazhdojë bashkëjetesën e frytshme me Ancelottin, me gjithë respektin për Xabi Alonso, kandidatin numër një për zëvendësimin e mundshëm të trajnerit emilian.
Do të shohim se si do të reagojnë në Rio de Janeiro, ndërsa Carlo mbetet shumë i qetë: të jesh në gjendje të zgjedhësh mes Real Madridit dhe Brazilit nuk është privilegj për të gjithë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





