Transmetuar më 25-11-2023, 15:40

Mbyllet në barazim 1-1 supersfida e Premier League, mes Manchester City dhe Liverpool. Skuadra e Pep Guardiolës nuk merr më shumë se një pikë në shtëpi, në një ndeshje spektakolare, ku të dyja skuadrat synuan maksimumin.

Të parët kaluan në avantazh “qytetarët” me Haaland, i cili në minutën e 27-të zhbllokoi rezultatin e bardhë. Kjo epërsi qëndroi në fuqi për vendësit deri afër fundit të ndeshjes, në minutën e 80-të, kur T.Alexander-Arnold tundi rrjetën e portës së Ederson, duke barazuar shifrat.

Ky gol ishte shpërblim i përpjekjeve të “Reds” gjatë gjithë kohës, të cilët nuk u dorëzuan. Vlen të theksohet se goli i Haaland ishte i 50-ti i tij në këtë vit kalendarik, në 48 ndeshje. Shifra të pabesueshme për çdo sulmues, por jo për norvegjezin, i cili nuk di të ndalet.

Megjithatë, goli i tij i sotëm nuk mjaftoi për t’i dhënë fitioren Manchester City. Pas kësaj ndeshjeje, skuadra e Guardiolës kryeson Premier League me 29 pikë pas 13 ndeshjesh, e ndjekur nga Liverpool me një pikë më pak. Nëse fiton Arsenali në këtë “stacion” të garës, atëherë ka shanse të ngjitet në krye të klasifikimit, me një pikë më shumë se “qytetarët” e Guardiolës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd