
Një goditje me kokë në minutën e 63-të nga Otamendi i Benfica e dënoi Brazilin me humbjen e tretë radhazi, e cila e lë “Seleçaon” në vendin e gjashtë të grupit me dhjetë skuadra të CONMEBOL në fushatën eliminatore për Botërorin 2026.
Megjithatë, kishte një fazë kur dukej sikur ndeshja nuk do të luhej, pasi fillimi ishte kaotik në shkallët e stadiumit, mes dy tifozërive, me përplasje shumë të ashpra fizike. Fillimi i ndeshjes u vonua me gjysmë ore, pasi policia u përlesh me tifozët në stadiumin “Maracana”.
Vendasit dhe tifozët argjentinas filluan të grindeshin gjatë intonimit të himneve kombëtare, duke nxitur policinë braziliane të shtynte tifozët miq drejt cepit të stadiumit, të cilët u përgjigjën duke shkulur ulëset dhe hedhur ato ndaj oficerëve.
Tifozët u përfshinë nga paniku dhe dolën në fushë për t’iu shpëtuar “luftimeve”. Të paktën një tifoz i plagosur është nxjerrë nga stadiumi me barelë. Skuadra e Argjentinës, e drejtuar nga kapiteni Lionel Messi, shkoi t’iu fliste tifozëve bardhekaltër në përpjekje për të qetësuar situatën, përpara se të largohej nga fusha dhe të kthehej në dhomën e zhveshjes.
Skuadra kampione e botës, Argjentina, u kthye përfundimisht pasi policia kishte mbërthyer tifozët udhëtues në cep të stadiumit dhe ndeshja midis rivalëve më të ashpër të futbollit të Amerikës së Jugut filloi pas një vonese prej rreth 30 minutash.
https://twitter.com/YeimisAriel/status/1727123106764837044
Loja si garë u harrua menjëherë me incidentet para ndeshjes, që çuan në një pjesë të parë të tensionuar, me pak futboll të luajtur. Ndeshja u bë më e hapur në pjesën e dytë, me Brazilin dominues. Pikërisht kur dukej se “Seleçao” ishte në krye, Argjentina dha goditjen fatale dhe heshti “Maracanã”.
Jo shumë shikues e ndoqën ndeshjen, sepse vendosën për arsye sigurie të largohen nga stadiumi. Ajo që ndodhi pati pasoja edhe në vetë garën. Brazil-Argjentinë ishte për një kohë të gjatë një ndeshje më shumë me goditje sesa futboll (22 faulle në total vetëm në pjesën e parë dhe tre kartonë të verdhë për brazilianët).
https://www.youtube.com/watch?v=tuIozjGR9Pg
Në fund ishte Albiceleste ajo që fitoi 1-0, falë një goditjeje të shkëlqyer me kokë të Otamendit në minutën e 63-të. Brazili (me dhjetë lojtarë që nga 80′ për shkak të përjashtimit të Joelinton) pësoi humbjen e tretë radhazi dhe e sheh rrugën drejt kualifikimit në Kupën e Botës 2026 duke u bërë gjithnjë e më e ndërlikuar.
Argjentina ruan kështu kryesimin në grupin kualifikues me 15 pikët e saj, si rezultat i pesë fitoreve dhe një humbjeje, ndërsa Brazili e sheh rrugën që e çon në Botërorin e ardhshëm duke u bërë gjithnjë e më e përpjetë.
Pesë herë kampionët e Botës jo vetëm mbeten të mbërthyer në vendin e 6-të të grupit, por pengohen me një rezultat historik: humbjen e parë në shtëpi në historinë e kualifikimeve të Kupës së Botës. Nga viti 1954 e tutje ata kishin arritur 65 rezultate të dobishme radhazi, ky Brazil nuk i përshtatet vërtet emrit të tij.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





