Transmetuar më 21-11-2023, 13:12

Akuxzohen se kanë vjedhur kamper dhe një ‘Fiat’ me vlerë 120 mijë euro, arrestohet një nga autorët e dyshuar, në kërkim edhe dy të tjerë dhe një italian.

Policia e Fierit informon se ‘si rezultat i punës së specialistëve të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier, pas sigurimit të informacioneve se disa shtetas ishin të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të automjeteve, është zhvilluar operacioni policor i koduar "Long way".

Në kuadër të operacionit është vënë në pranga shtetasi Edmond Zogo, 55 vjeç, banues në Fier, si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit A. Dh., 38 vjeç dhe E. K., 43 vjeç, të dy banues në Berat, si dhe shtetasi italian A. M., 51 vjeç.

Nga hetimet ka rezultuar se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë trafikuar në Shqipëri, automjete të vjedhura kryesisht në Itali dhe në Gjermani. Gjithashtu, se ndërhynin në elementet identifikuese të automjeteve dhe paraqitnin për to, dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë.

Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar 2 automjete tipe "Fiat" dhe "Iveco", prodhime të viteve të fundit, me vlerë rreth 120 000 euro.

Vijon intensivisht puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, po kryhen hetime për të zbardhur dhe provuar ligjërisht raste të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.