Transmetuar më 21-11-2023, 12:02

Ai sapo ka arritur ëndrrën e tij me Shqipërinë dhe synon të fitojë gjithnjë e më shumë hapësira tek Interi. Bëhet fjalë për Kristjan Asllanin, një titullar absolut për kombëtaren e tij dhe që synon të ngjitet në hierarki edhe te zikaltrit.

"Vitin e kaluar e dija që isha i treti në rolin e “regjisorit” tek Interi dhe se do të kisha më pak minuta aktivizim, – tha ish-lojtari i Empolit gjatë një interviste të zhvilluar ekskluzivisht nga Simone Togna e “Mediaset”. – Tani, megjithatë, edhe unë jam gati. Kam admiruar lojtarët që ishin para meje në rol, mbi të gjithë Brozovic.

E kam studiuar atë, si dhe Calhanoglu që po më ndihmon shumë. E njëjta gjë vlen edhe për klubin dhe Inzaghi. Unë po marr mbështetje të madhe prej tyre për rritjen profesionale. Kur do të jem titullar? Nuk ka afat kohor, jam duke punuar shumë, dua të krijoj hapësirën time dhe të kem më shumë minuta me Interin”.

Si ndiheni, pas kualifikimit me Shqipërinë në finalet e “Euro 2024”?

Ka shumë krenari për këtë kualifikim, është hera e dytë që ndodh. Për mua, kuptohet është e parë, por ia dola menjëherë. Jam shumë i lumtur për familjen time dhe për të gjithë këta tifozë që ishin këtu. Të them të vërtetën, sonte nuk jam plotësisht i lumtur, sepse kjo ndeshje duhej fituar. Tani do të shkojmë në Gjermani, të shohim çfarë do të ndodhë.

Është kualifikuar edhe Italia, pasi barazoi 0-0 me Ukrainën. Ekziston mundësia që të përplaseni në finalet e Europianit, do të ishte interesante…

Gjëja e parë që bëra pasi përfundoi ndeshja ishte të shihja se çfarë kishte ndodhur me Italinë. Jam shumë i gëzuar për djemtë, për ata që luajnë me mua tek Interi dhe për të gjithë italianët. E meritojnë kualifikim. Po, është kjo mundësia e përplasjes, do të ishte bukur, por Italia është shumë e fortë. Për ne është hera e dytë, duhet të përshtatemi dhe të japim më të mirën.

Konsideroheni truri i Shqipërisë. Çfarë ka ndodhur krahasuar me sezonin e shkuar si te kombëtarja shqiptare, ashtu edhe tek Interi? Po shihet që jeni më vendimtar, një tjetër Kristjan Asllani…

Sezonin e shkuar e dija që do të kisha më pak minuta. Duhet të falënderoj trajnerin Inzaghi dhe klubin e Interit që po më ndihmojnë të rritem çdo ditë. Po më ndihmon Calhanoglu, është një person fantastik, po më jep shumë këshilla. Jam përmirësuar se kam pasur mundësi të shoh lojtarë si Brozovic, i kam studiuar dhe kam mësuar shumë prej tyre. Ndoshta tani edhe unë jam gati.

Si jeni? Ju nuk u thirrët ndaj Frosinone…

Jam mirë, mjekët dhe trajneri vendosën kështu (që nuk do të më thërrisnin kundër Frosinone), sepse do të kisha rrezikuar ndonjë dëmtim. Por jam mirë.

Juventusi është në horizont, si e shihni ndeshjen?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, bardhezinjtë janë të fortë. Ne do të shkojmë atje që të bëjmë lojën tonë dhe të synojmë më të mirën.

A është kjo një ndeshje titulli?

Mund të thuhet kështu, por janë shumë skuadra në garë. Juventusi është aty lart, ku jemi dhe ne, por të gjithë e dimë që ka skuadra të tjera që mund ta fitojnë kampionatin.

Nëse do të duhej, cilin do të zgjidhje mes fitimit të titullit në Serie A dhe Champions-it?

Të them të vërtetën, po zhvillojmë një kampionat shumë të mirë, por jemi vetëm në fillim. Sigurisht që synojmë vendin e parë, por të shohim ndeshje pas ndeshjeje.

Të kanë kërkuar shumë skuadra si Fiorentina, Empoli, Sassuolo. Megjithatë, ju vendosët të qëndroni tek Interi dhe po tregoni se kishit të drejtë…

Sigurisht që doja të qëndroja, por ka qenë meritë e trajnerit dhe klubit që më deshën. Mendoj se ka qenë vendimi i duhur si për mua, ashtu edhe për Interin.

Bennacer është shprehur se nuk do të të vepronte kurrë si Calhanoglu, pra të largohej nga Milani tek Interi. Ju jeni futbollist i Interit, do të shkonit një ditë te Milani?

Unë jam futbollist i Interit, ndihem mjaft i kënaqur me djemtë zikaltër. Sapo mora vesh që Interi më kërkonte, nuk u mendova gjatë. Siç e dinë të gjithë, unë jam tifoz i Interit dhe mendoj vetëm për Interin.

A të ka thënë diçka trajneri se çfarë duhet të bësh apo si duhet të luash?

Të them të drejtën Inzaghi më ndihmon në çdo seancë stërvitore. Më ka folur dhe po më jep minuta dhe fatmirësisht mendoj se i kam shfrytëzuar, por, siç e thashë edhe më herët, gjithçka arrihet me punë.