Transmetuar më 19-11-2023, 23:09

Një 32-vjeçare shqiptare është dënuar nga drejtësia britanike me 7 vitë e gjysmë, për rolin e saj në trafikimin e emigrantëve ilegalë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

32-vjeçarja shqiptare e quajtur Ujeza Kurmekaj, u arrestua në shtëpinë e saj në Banbury, Oxfordshire, në tetor të vitit 2022.

Nga hetimet, autoritetet gjetën qindra mesazhe në telefonin e saj, të cilat tregonin se si ajo ndërmjetësonte lidhjen e kontrabandistëve me njerëzit që dëshironin të kalonin në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas mediave angleze, në mesazhet e shqiptares gjendeshin biseda orientuese për kontrabandistët, ku caktonte vendndodhjet e takimit mes tyre dhe emigrantëve.

"Kemi këtu një familje, burrë gruan një fëmijë",- thuhej në një prej mesazheve, si dhe "3 gra dhe fëmijë 14 17 12 vjeç", deti shumë i keq".

Po ashtu, raportohet se telefoni i saj përmbante 21 imazhe të letërnjoftimeve dhe pasaportave shqiptare, të cilat, kur u verifikuan, tregonin se nëntë nga individët të cilëve u përkisnin, kishin mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me një varkë të vogël.

Kurmekaj u deklarua fajtore nën akuzat për lehtësimin e imigracionit të paligjshëm, më 3 nëntor në Gjykatën e Kurorës së Oksfordit.

Pas përfundimit të masës së dhënë, ajo do të kthehet në Shqipëri.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd