Transmetuar më 19-11-2023, 13:51

Arjan Bllacaj është 42-vjeçari, i cili u arrestua ditën e sotme në Tiranë, pasi mashtronte një biznes duke u prezantuar si zyrtar i lartë shtetëror, për t’i marrë 200.000 euro.

Mësohet se 42-vjeçari banues në Kamëz, ka telefonuar biznesmenin Adi Haxhiymeri, në emër të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, duke i kërkuar shumën e majme. Por ideator i kësaj skeme mashtrimi nuk është Bllacaj, por Florian Gjergji, një emër i njohur për policinë, i cili është shpallur në kërkim për të njëjtën vepër penale.

Rreth një muaj më parë 40-vjeçari u rishfaq në një skenë të ngjashme mashtrimi me biznesmenët në Tiranës duke u kamufluar si zyrtar të lartë. Më 29 shtator, ai mashtroi biznesmenin Aleksandër Gavoçi, duke i kërkuar 70 mijë euro, në emër të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt.

Deri tani njihen 3 episode të skemës së mashtrimit të Florian Gjergjit. Fillimisht 39-vjeçari i dërgon “presë” një mesazh. Tek biznesmenë të ndryshëm ai përdor taktika të ndryshme komunikimi. Në rastet e denoncuara dhe zbuluara nga policia biznesmenëve u prezantohej në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame apo kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Policia nuk ka arritur ta arrestojë Florian Gjergjin, pasi ai rezulton të jetë jashtë territorit të vendit, në Gjermani.