Transmetuar më 18-11-2023, 14:29

Prej disa javësh në shtypin rozë kanë nisur të qarkullojnë menjëherë lajmet në lidhje me moderimin e “BBV3”. Sipas thashethemeve të shumta që qarkullojnë në media, Arbana Osmani nuk do të jetë moderatorja e sezonit të ardhshëm të BBV.

Ndërkohë që ende nuk kishte një konfirmim nga ana e Osmanit, menjëherë pas publikimit të këtij lajmi në shumë portale, të shumta kanë qenë aludimet në lidhje me moderatoren që do të marrë në dorë prezantimin e një prej programeve mjaft të suksesshme të Top Channel. Një ndër emrat më të përfolur ka qenë Bora Zemani, e cila aktualisht drejton një ndër programet më të suksesshmë të kërcimit, “Dancing with the Stars”.

Lidhur me këto thashetheme, Bora Zemani është ngacmuar nga gazetari i “Shqipëria Live”, i cili nuk ka nguruar të pyesë drejtpërdrejtë moderatoren nëse do të jetë ajo që do e prezantojë sezonin e ardhshëm të Big-ut, por Bora nuk dha një përgjigje të saktë.

Ndërkohë që është aluduar kaq shumë, Arbana Osmani mbrëmjen e kaluar ka reaguar më në fund në lidhje me këto thashetheme që qarkullojnë lart e poshtë, duke konfirmuar se do të jetë pjesë e ekranit që vazhdon ta entuziazmojë njëlloj sikurse 25 vite më parë.

Moderatorja e njohur ka bërë një postim në profilin e saj zyrtar të Instagramit, ku ka prezantuar për të gjithë ndjekësit e saj, biznesin e saj të ri, që ka të bëjë me një nga dashuritë e saj më të mëdha, ushqimin.

“Shpejt do shihemi edhe në ekran, për te vazhduar nje pasion që më entuziasmon njëlloj si para 25 vitesh, dhe që lindi po aty, tek Piramida”, shkruan ndër të tjera Arbana.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd