Transmetuar më 18-11-2023, 13:10

Protagonisti në prezantimin e librit të tij të ri, Javier Zanetti, ish-kapiteni dhe tashmë zv.president i Interit, ka folur për lidhjen që ka me Italinë: “Tani është vendi im. Kur mbërrita e njihja pak, kisha parë ndeshjet e Maradonës me Napolin ose mamaja më kishte folur për Interin e madh. Kur mbërrita fillova të kuptoj disa gjëra, që më mësoi ky vend.

Kur mbërrite, a menduat se do të qëndronit kaq gjatë?

Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Kur mora lajmin se Interi më kishte blerë, nuk mund ta besoja. Isha në Afrikën e Jugut me ekipin kombëtar, më tha motra ime dhe menjëherë fola në telefon me Paula (gruaja e tij e ardhshme), duke i thënë të ndiqte lajmet për të parë nëse ishte e vërtetë. Nuk e besova, fillova të hidhja hapat e parë në futboll dhe m’u dha mundësia që kisha ëndërruar qysh fëmijë. Mbërrita menjëherë në Itali, tek Interi, një klub që tashmë kishte histori të madhe pas vetes. Arrita me Rambertin, një bashkatdhetar imi që ishte më i fortë, sepse ishte sulmuesi dhe golashënuesi më i mirë i Independientes. Arritëm të dy, secili me ëndrrat tona. Më kujtohet prezantimi në “Palazzo Martini”, ishin Bergomi, Facchetti, Angelillo, Suarez, Mazzola. Ndjeva një ndjenjë familjare, thelbësore për një të ri të huaj si unë. Nuk do ta harroj kurrë atë pritje, të parat seanca stërvitore, ndeshjet e para. Aty lindi dashuria ime për Interin.

Për një argjentinas, që vinte në Itali, duke ditur lidhjet e mëdha mes dy vendeve, do të shkonte në një vend pa dyshim miqësor dhe mikpritës, apo kishte pak frikë?

Stërgjyshi im ishte larguar nga Pordenone. Kur mbërrita, mendova se çfarë më kishin transmetuar prindërit. Gjithmonë thoja që Italia është një vend shumë mikpritës. Ndonjëherë ankohemi, por nuk e kuptojmë ndjeshmërinë e madhe të popullit italian.

Ju mbështesni Argjentinën, por edhe Italinë…

Më kujtohet kur Italia nuk u kualifikua në Kupën e Botës, pashë tre fëmijët e mi, të veshur në blu, duke qarë. Kjo kishte një domethënie të madhe për mua si baba dhe për Paula si nënë. Ata kanë lindur këtu, ndihen të ndarë përgjysmë mes Italisë dhe Argjentinës. Një episod tjetër i lumtur për ne argjentinasit ishte fitorja e Argjentinës në Botërorin e Katarit. Ata lot u kthyen në lot gëzimi, falë bashkimit të pasionit për këto dy kombëtare të mëdha.

Një kujtim nga finalja e Madridit më 2010…

Edhe aty qava, por tashmë gjatë ndeshjes, tre minuta para fishkëllimës së fundit. Ndjeva se fitorja ishte afër, Samuel më tha të ndaloja. Aty e lashë veten të qaja, kishte shumë lumturi, iu dhamë tifozëve tanë një trofe që s’e kishin shijuar për 45 vite. Para krenarinë e ngritjes së Champions-it si kapiten, ishte një natë e paharrueshme. Familja ime ishte aty, si gjithmonë, është diçka që do të mbetet përgjithmonë brenda nesh.

Çfarë raporti keni pasur me argjentinasit e skuadrave të tjera?

Raport special me Cholo Simeone, por edhe me Batistuta. Edhe pse na ka shënuar shumë gola me fanellën e Fiorentinës, marrëdhënia ka qenë gjithmonë e veçantë. Kjo për atë që Bati përfaqëson për ne argjentinasit.

Keni marrëdhënie të mira me Baggio. Kur takoheni flisni më shumë për Argjentinën apo Italinë?

Ai më flet për Argjentinën, unë për Italinë. Së fundmi ai foli shumë mirë edhe për Lautaron. Mendoj se edhe ai ndihet argjentinas.

A mund t’i ndjekë hapat e Zanettit një tjetër argjentinas tek Interi?

Tek Interi e kemi tashmë një, është Lautaro, kapiteni. Jam shumë i lumtur, jo sepse ai është argjentinas, por sepse kur e shfrytëzuam këtë mundësi me Piero Ausilio, i cili shpjegoi se si erdhi negociata, pamë tek ai se çfarë mund të bëhej. Dhe nuk gabuam, sepse Lauti ka pesë vite me ne dhe çdo vit është përmirësuar shumë. Sot e shihni si lider, e shihni me këtë ndjenjë përkatësie, me këtë dashuri për Interin. Nuk do ta mohoj që më jep kënaqësi të madhe, ndonjëherë e shoh veten tek ai, kur mbërriti në Itali. Shpresoj që të ketë një karrierë të madhe, sepse e meriton.

Cili është italiani që e shikonit si pikë referimi?

Gjithmonë më ka pëlqyer Baggio dhe më pas fati deshi që u bëmë miq. Më pëlqente ta shihja se çfarë bënte në fushë.

Një kampion i madh, të cilit do të kishit dashur t’i jepnit pasaportën tuaj argjentinase?

Lothar Matthaus, një tjetër njeri që mbrojti fanellën e Interit dhe të cilin e kam admiruar gjithmonë. Ai ishte një forcë lëvizëse, një lider, dhe sinqerisht tani, kur shihemi, kemi respekt të madh reciprok.

Cila Itali mund të kishte bërë më shumë?

Ajo e Botërorit 1990, që pësoi vetëm një gol nga Caniggia. Ndonjëherë duhet fat, mendoj se Italia e meritoi ta fitonte Kupën e Botës atë vit. Ndër të tjera, mendoj se ai edicion ka himnin më të mirë të Kupës së Botës ndonjëherë.