
Aventura e Harry Kane me Bayern Munich filloi me gola. Madje më shumë nga sa mund ta imagjinonin drejtuesit dhe tifozët më optimistë të klubit gjerman. Në pushimin e nëntorit të Bundesligës, kapiteni i kombëtares angleze ka shënuar tashmë 17 gola në 11 ndeshje të Bundesligës, të cilëve iu duhen shtuar 5 asiste dhe 4 gola (plus dy pasime fituese) në 4 ndeshjet e para të fazës së grupeve të Champions League.
Shifra të jashtëzakonshme, që i kanë dhënë tashmë ish-lojtarit të Tottenhamit një vend në historinë e Bundesligës, duke përmirësuar rekordin e Robert Lewandowskit, i cili në vitin 2019, pas 11 javësh kampionat, ishte "ndalur” në 16 gola.
Mesatarja e golave të Kane deri më tani është një gol çdo 57 minuta, gjë që e bën atë golashënuesin më të mirë në historinë e Bundesligës mes atyre me të paktën 10 paraqitje që nga viti 1963.
Anglezi po performon më mirë jo vetëm se Lewandowski, por edhe legjenda Gerd Müller, edhe Erling Haaland, tashmë një "makinë goli" gjatë kohës së tij te Borussia Dortmund, para se të transferohej te Manchester City.