
Gjatë një interviste zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka sqaruar akuzat lidhur me një luftë të mundshme bërthamore dhe pretendimet se Rusia është gati të nis një luftë të tillë.
Sipas zëdhënësit të Moskës këto pretendime janë “absolutisht të çmendura” dhe se sipas Peskov Rusia është një vend i përgjegjshëm për armët që posedon.
Rusia është "jashtëzakonisht e përgjegjshme dhe e kujdesshme" për armët bërthamore, tha Peskov në një intervistë me kanalin televiziv MGIMO 360 të drejtuar nga studentë.
"Fatkeqësisht, gjatë vitit të kaluar ne kemi dëgjuar gjithnjë e më shpesh një retorikë të tillë të papërgjegjshme bërthamore, dëgjojmë akuza absolutisht të çmendura të Rusisë se ne jemi gati, thonë ata, të nisim një luftë bërthamore… Rusia, duke qenë një vend i madh, i fuqishëm, i fortë, është jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe i kujdesshëm në qasjen ndaj asaj që zotëron”, theksoi ai.
Sipas Peskov, retorika bërthamore përdoret për të paraqitur Rusinë si një kërcënim në luftën hibride në vazhdim.
“Detyra e të gjithë neve është thjesht të shpjegojmë se këto janë deklarata të paargumentuara dhe thjesht fjalë të papërgjegjshme”, tha ai.
Rusia vendosi armë bërthamore në Bjellorusinë fqinje në fillim të këtij viti, me zyrtarë perëndimorë, përfshirë presidentin e SHBA-së Joe Biden, që e cilësuan atë një kërcënim.
Moska i kishte hedhur poshtë kritikat, duke thënë se SHBA kishte vendosur për dekada të tilla armë bërthamore në Evropë.
Zëdhënësi paralajmëroi se turbulencat mund të rriten në dekadat e ardhshme, duke thënë se Perëndimi do të përpiqet të ruajë "udhëheqjen e tij në rënie" dhe konflikte të ndryshme janë të mundshme.
Peskov tha se një "mungesë serioze e parashikueshmërisë" në politikë apo ekonomi e bën të pamundur parashikimin e botës në 10 vjet, por shpresonte se Rusia do të jetë "më e mençur, më e pasur dhe më e fortë".