Transmetuar më 17-11-2023, 07:11

Dy kompani janë shpallur fituese për të bërë studimin e fizibilitetit dhe projektin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Kompanitë brenda 14 muajsh duhet të identifikojnë gjatësinë e hekurudhës, vendet ku do të shtrihet si dhe të nxjerrin një analizë të kostove dhe përfitimeve.

Në vitin 2025, do të jetë gati projekti për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë. Ajo parashikohet të ketë një kosto 700 milionë euro, dhe do të financohet nga buxhetet e dy shteteve Shqipëri-Kosovë.

Këto ditë është shpallur fituesi i tenderit të hapur në korrik të këtij viti për bërjen e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idenë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Mes 5 ofertave fituese është shpallur ajo e bashkimit të dy operatorëve “ILF Consulting Engineers Austria GmbH” – ABKONS SH.P.K. të cilët kanë ofruar 168.9 milionë lekë për të realizuar këtë projekt.

Kompanitë do të kenë afat 14 muaj për të bërë studimin e fizibilitetit dhe për të ndërtuar projekt idenë e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Qëllimi i tenderit është kryerja e një studimi fizibiliteti të lidhjes së re hekurudhore Durrës-Prishtinë, ku kompanitë do të identifikojnë gjatësinë e hekurudhës, gjurmën ku do të kalojë përgjatë qyteteve, duke përfshirë planet për ndërtimin e urave, tuneleve, nën kalimeve apo mbikalimeve si dhe stacionet për pasagjerët përgjatë linjës së hekurudhës. Si dhe të bëjë të gjitha analizat mbi kostot e investimit, shpenzimet e funksionimit dhe mirëmbajtjes.

Pjesë e studimit të fizibilitetit do të jetë edhe situata gjeologjike e terrenit ku do të shtrihet hekurudha raporti topografik dhe ndikimi mjedisor.

Në relacionin e tenderit që citon rtsh thuhet se projekti ka si prioritet krijimin e një infrastrukture moderne hekurudhore për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta drejt krijimit të tregut të përbashkët hekurudhor.

Në buxhetin e vitit 2024 janë vënë në dispozicion të projektit të fizibilitetit për këtë hekurudhë 50 milionë lekë, ndërsa në buxhetin aktual shpenzimet e parashikuara janë 73 milionë lekë.

Ky projekt ambicioz është mbështetur nga të dyja qeveritë gjatë mbledhjeve të përbashkëta, dhe kanë shprehur domosdoshmërinë e lidhjes hekurudhore mes dy shteteve.