Transmetuar më 17-11-2023, 08:31

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dje, në stadiumin “Zimbru” të Kishinjevit, seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes së ditës së sotme ndaj Moldavisë. Pas konferencës zyrtare për media të trajnerit Sylvinho dhe kapitenit Gjimshiti, skuadra ka dalë në fushën e stadiumit të ndeshjes dhe ka zhvilluar një seancë të plotë stërvitore, ku kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët.

Stërvitja ka qenë e fokusuar te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës. I gjithë grupi gëzon formë të mirë dhe deri më tani nuk ka asnjë lojtar me problemeve fizike, teksa të gjithë do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Moldavisë.

Seanca ka zgjatur për pak më shumë se një orë, më pas lojtarët janë rikthyer në hotel. Ndeshja me Moldavinë do të luhen të premten e 17 nëntorit, duke filluar nga ora 18:00 dhe ka një rëndësi historike për Shqipërinë e futbollit, që është shumë pranë kualifikimit për në finalet e "Euro 2024".

Për këtë arsye të gjithë lojtarët dhe stafi teknik kanë qenë shumë të fokusuar te përgatitja sa më e mirë e kësaj ndeshjeje, më qëllimin për të marrë tri pikët vendimtare. Ndërkohë, sa i takon formacionit startues të kuqezinjve, pritet të jetë ai tip, me të cilin Sylvinho ka ardhur deri këtu, në sfidën e parafundit në grupin kualifikues.

Kështu, në portë do të luajë Berisha, ndërsa para tij, në mbrojtjen me katër, do të rreshtohen: Hysaj, Gjimshiti, Simajli dhe Mitaj. Mesfusha do të “patrullohet” nga Ramadani, Asllani dhe Bajrami. “Tridenti” ofensiv do të përbëhet nga Cikalleshi në majë, Seferi dhe Asani nga krahët.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd