Transmetuar më 16-11-2023, 12:36

Kombëtarja e futbollit e Republikës së Moldavisë ka shansin të kualifikohet për herë të parë në një kompeticion ndërkombëtar, pas një ecurie thuajse perfekte në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024. Për ta arritur këtë gjë historike, “trikolorët” duhet të fitojnë në Kishinau, më 17 nëntor, kundër Shqipërisë dhe të mos humbasin më 20 nëntor në ndeshjen kundër Çekisë.

Në pamje të parë duket një detyrë e pamundur, por pas ndeshjes ndaj Polonisë së Robert Lewandowskit, kur moldavët u rikthyen nga disavantazhi 2-0 për të fituar përfundimisht 3-2, të gjithë shpresojnë te mrekullia në këtë vend. Trajneri Sergiu Clescenco, ai që krijoi këtë “brez të artë”, ka treguar se cili është morali i skuadrës para dy ndeshjeve të fundit në grup, të tipit “gjithçka ose asgjë”.

Sipas Clescenco, ndeshja ndaj Polonisë në Kishinau ishte momenti i çlirimit për kombëtaren moldave: “Ajo fitore ishte një moment kyç, që ilustron vlerën e kombëtares tonë. Në pjesën e dytë, lojtarët e kuptuan se duhej të dilnin në fushë dhe të luftonin fort, pasi tifozët tanë prisnin me padurim një reagim.

Ky ndërgjegjësim ishte një nxitje e fortë për ekipin, duke na treguar se edhe në momentet më të vështira ka gjithmonë një zgjidhje. Ajo përmbysje, gjithashtu pati një ndikim të thellë te djemtë, duke u mësuar atyre se vetëbesimi dhe puna në grup janë thelbësore. Në fushë janë 11 lojtarë dhe rezultati nuk varet vetëm nga një, por nga të gjitha. Ky mësim na tregoi se mirëkuptimi, kohezioni dhe madje miqësia në fushë janë çelësi i suksesit tonë”.

Clescenco iu referua edhe objektivave ​​të kombëtares moldave për ndeshjet vendimtare me Shqipërinë dhe Çekinë: “Sa prej nesh menduan se do të ngriheshim më lart se vendi i fundit në grup? Shumë pak. Djemtë u mobilizuan, formuan një ekip të bashkuar dhe e kuptuan pse po vinin në kombëtare.

Lojtarët e kuptuan se nuk janë në fushë vetëm për veten e tyre, por edhe për vendin e tyre, familjet e tyre dhe miqtë, që nuk duan t’i zhgënjejnë. Strategjia jonë mbetet e njëjtë, pavarësisht ndeshjes. Ne mbështetemi në guximin për të përballuar çdo sfidë, agresivitet në sulm dhe besim në aftësitë mbrojtëse. Ky është thelbi i filozofisë sonë të lojës”.

Sergiu Clescenco pranon se ka presion mbi ekipin e tij, por shpreson që falë stadiumit të mbushur plot, “trikolorët” t’i kapërcejnë të gjitha emocionet: “Duam ta shohim stadiumin plot. E mbaj mend ende ndeshjen kundër Gjermanisë në stadiumin “Republikan” më 98, me tifozët që ngjesheshin në shkallë.

Nuk kishte më vende të lira. Tifozët na brohorisnin vazhdimisht. Më pas humbëm 3-1, por ishim 1-0 në 20 minutat e para. Kjo është ajo që iu them lojtarëve. Tifozët, pavarësisht rezultatit, nuk duhet të zhgënjehen me lojën. Jemi të motivuar të japim gjithçka në fushë dhe t’i bëjmë këto momente historike të paharrueshme për të gjithë Republikën e Moldavisë”.

Ish-sulmuesi i kombëtares pret një ndeshje të vështirë ndaj Shqipërisë, e cila vjen si kokë grupi në këtë përballje, i duhet vetëm edhe një pikë për t’u kualifikuar në “Euro 2024”: “Nga një outsider në grupin tonë, Shqipëria është kthyer në favorite. Është një surprizë, por kjo është merita e trajnerit të saj, i cili ka pasur shumë eksperiencë si futbollist.

Një nga pikat e forta të shqiptarëve, por edhe e jona, është kohezioni i kombëtares. Kam vënë re se ata kanë mbajtur një formacion të qëndrueshëm në ndeshjet e fundit, me vetëm një ose dy ndryshime. Kombëtarja shqiptare është mësuar ta ketë topin në zotërim. Ata kanë lojtarë teknikë dhe shumë të shpejtë. Këtyre gjërave do t’iu kushtojmë më shumë vëmendje”.

Ndeshja ndërmjet Republikës së Moldavisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 17 nëntor në stadiumin “Zimbru”, me start nga ora 18:00.