Transmetuar më 16-11-2023, 09:36

Edhe pse është jashtë fushës për shkak të një dëmtimi në gju, braziliani Neymar po bën bujë në media. Sipas informacioneve të “Le Parisien”, ish-ylli i PSG-së është denoncuar në gjykatën industriale të Saint-Germain-en-Laye nga një grua 35-vjeçare braziliane.

Ajo e akuzon futbollistin për punësim në të zezë, për gati dy vite, nga 7 ditë në javë, nga janari 2021 deri në tetor 2022, ndërsa ai ende luante me fanellën e kampionit francez. Kjo punë e padeklaruar, të cilën ajo e vërteton me dokumente, është paguar me para në dorë.

Shërbëtorja e shtëpisë e akuzon Neymarin se e ka detyruar të punojë deri në 15 ditë para lindjes së parakohshme të fëmijës së saj të katërt, përpara se të mos kishte më kontakte me golashënuesin më të mirë në historinë e kombëtares braziliane. “Le Parisien” saktëson gjithashtu se ajo nuk ka përfituar leje me pagesë apo pagesë jashtë orarit zyrtar të punës.

Brazilianja, e cila i regjistronte orët e saj të punës në një fletore të vogël, punonte deri në 60 orë në javë, ndërsa koha e zakonshme e punës për një punëtore shtëpiake në Francë është 40 orë. Ylli i futbollit mori një rekomandim nga avokatët e paditëses për të gjetur një zgjidhje miqësore, por nuk u përgjigje.

“Neymar shfrytëzoi pasigurinë e klientes sonë për t’i imponuar asaj kushte të padenja pune, pra e shfrytëzoi, në kundërshtim me rregullat bazë të ligjit të punës”, – shpjegojnë Caroline Toby dhe Vincent Champetier, avokatë të 35-vjeçares.