
Kryeministri Edi Rama thotë se opozita e ka humbur mendjen dhe arsyen.
Gjatë Asamblesë së Zgjeruar të Partisë Socialiste në Dibër, Rama u shpreh se gjithmonë opozita fillon avazin e saj pasi humb zgjedhjet.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë shtoi se opozita u fut në çadër në vitin 2017, për të mos votuar vettingun në parlament.
“Në 2013 fituam ne, nuk kaluan 2-3 muaj, filloi avazi, nuk i njohin zgjedhjet. Në 2015, fituam përsëri, përsëri i njëti avaz. Në 2017 u futën në çadër, për të mos hyrë në zgjedhje, por në fakt për të mos ardhur në parlament që të mos votojnë vettingun. Që kur ne kemi nxjerrë flamurin e reformës në drejtësi, a thua se nxorrëm një rrobë të kuqe, që sa e shohim, i turren sikur janë dema të tërbuar.
Nëse dikur ishin dema, tani e keni parasysh se çfarë lloji janë. Në 2019 ikën fare, u zhdukën, morën malin dhe menduan që e gjithë Shqipëria do ngjitej në mal, t’i thoshte aman, o ju o ne, do hidhemi në greminë nga maja e malit. Asnjë nuk shkoi në majë të malit, u kthyen vetë.
Në 2021, përsëri e njëjta gjë. Pasi të gjithë së bashku thanë fituam, se ata fitojnë gjithmonë, taksirati ynë është që ata fitojnë dhe ne duhet të qeverisim. Mbasi ndodhi edhe ajo, pastaj fillojnë të gjejnë kush e ka fajin, për çfarë, që fituam? Sot nuk dihet më se ku e kanë kokën, duart, trupin, dihet vetëm ku e kanë mendjen. Mendjen e kanë te 7 penxheret”, theksoi ai.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





