GJKKO i ka dërguar një tjetër shkresë Sali Berishës në kryesinë e Kuvendit, ku e njofton atë për lënien në fuqi të masës, detyrim paraqitje.
Ashtu sikundër shihet në shkresën e siguruar, dokumenti është protokolluar nga ana e Kuvendit, ndërsa mësohet se ish kryeministrit Sali Berisha i është dërguar edhe përmes postës elektronike, email, vetëm faqja e parë e praktikës që GJKKO ka dërguar në Kuvend.
Burime nga Kuvendi thanë, se zarfi i mbyllur me të gjithë praktikën e ndjekur nga GJKKO është dërguar përmes postës në Selinë e PD. Kujtojmë se deri më tani Sali Berisha ka refuzuar të marrë në dorëzim shkresat e GJKKO lidhur me masat e sigurisë në ngarkim të tij.
Në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish Kompleksit sportiv Partizani, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje”, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, si dhe “Ndalimin për të dalë jashtë vendit”, një akuzë që mbart dënim nga 4 deri në 12 vjet burg. Ai dyshohet për “Korrupsion” në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili tashmë është arrestuar.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd