Transmetuar më 15-11-2023, 09:43

UEFA synon të ftojë Al Nasr për të marrë pjesë në Champions League 2024-2025, me arsyetimin se klubi saudit ku luan Cristiano Ronaldo është një nga tri klubet më të njohura në botë. Ky është lajmi që vjen nga Arabia dhe raportohet nga "British Football Talk".

E vërteta është se për t’u bërë realitet kjo gjë ka ende shumë pengesa për t’u kapërcyer, duke filluar nga "fair play financiar", që ekipet evropiane duhet të respektojnë, ndryshe nga ato arabe që shpenzuan shumë gjatë verës falë fondit sovran të PIF.

Përveç çështjes (së rëndësishme) të respektimit të "fair play financiar", duhet të merret parasysh edhe se sezonin e ardhshëm do të fillojë formati i ri i Champions League, me numrin e skuadrave që do të shkojnë nga 32 në 36 në një grup të vetëm, bazuar në skemën e Euroligës së basketbollit. Numri i ndeshjeve të garantuara do të rritet gjithashtu nga 6 në 8, katër në shtëpi dhe katër jashtë fushe.

Në këtë skenar, lind spontanisht pyetja ende pa përgjigje, se kush do të largohet për t’ia hapur vendin Al Nassr. Më pas duhet llogaritur edhe reagimi i tifozëve për këtë eventualitet, për t’u marrë parasysh, sepse po ata tifozë që i thanë "jo" Superligës tani do të shihnin një ekip të imponuar në Champions thjesht për arsye ekonomike.

Sigurisht, nëse lajmi do të konfirmohej, do të kishte një njeri të lumtur, pikërisht Cristiano Ronaldo. Golashënuesi më i mirë në historinë e Ligës së Kampionëve (140 gola) mund ta rrisë këtë shifër dhe të bëhet gjithnjë e më legjendar.