
Pezullohet ligji që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vjet brenda vendit
Gjykata Kushtetuese vendosi të martën të pezullojë ligjin, për studentët e mjekësisë, i cili i ndalon ata që të ikin nga Shqipëria 5 vite pas mbarimit të studimeve.
Kjo gjykatë tha se do të dalë me një vendim përfundimtar kur të shprehet në tërësi për ligjin që u miratua në Kuvend në muajin korrik me votat e socialistëve.
Në këtë mënyrë kanë fituar studentët që refuzuan të pranojnë detyrimin që të qëndrojnë në Shqipëri pasi të mbarojnë universitetin.
Sipas njoftimit për shtyp, mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, mori në shqyrtim kërkesën, me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit.
Objekti i kërkesës ishte shfuqizimi i nenit 4, të ligjit “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Objekt i kërkesës ishte dhe pezullimi i ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese vendosi, pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, thuhet në njoftim.
Kushtetuesja ka pezulluar ligjin për pjesën që parashikonte tarifa më të larta universitare për studentët e Mjekësisë që nuk pranonin pas përfundimit të studimeve, që të punonin për një periudhë të paktën 5-vjeçare në sistemin shëndetësor të vendit.
Sipas ligjit që u rrëzua, çdo student i mjekësisë që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor deri në 5 vite në vendin e tij dhe zgjedh të largohet jashtë Shqipërisë pas studimeve, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi.
Në të kundërt ligji ofronte mbështetje dhe tarifa më të ulëta për studentët e Mjekësisë që pranonin përmes një marrëveshjeje kontraktuale që të punonin në Shqipëri për të paktën pesë vite pas studimeve.
Ligji u kundërshtua nga studentët e Mjekësisë, të cilët u hodhën në protesta.
Opozita mbështeti studentët dhe çoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





