Transmetuar më 14-11-2023, 19:30

Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh kundër bllokadës së paralajmëruar greke ndaj Shqipërisë, pasi Athina zyrtare, sipas raporteve në media, ka vendosur të mos bashkohet me vendet e tjera të Unionit në planin për hapjen e pesë kapitujve për Shqipërinë.

Komentet, Scholz i bëri sot pasi priti në Berlin kryeministrin greke Mitsotakis, raporton noa.al.

Në një pyetje nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp me homologun grek Kyriakos Mitsotakis, z. Scholz u pyet për çështjen e zgjerimit:

A keni marrë një garanci nga zoti Mitsotakis se Greqia nuk do të vazhdojë të bllokojë hapjen e pesë kapitujve të negociatave me Shqipërinë?

Kancelari socialdemokrat tha se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit, Berlini është në anën e procesit të anëtarësimit në BE, sepse dëshiron që kandidatët për anëtarësim ta arrijnë atë sa më shpejt.

Scholz tha se është e nevojshme të shkohet drejt afrimit të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilave iu dha premtimi për anëtarësim pikërisht 20 vjet më parë në Samitin e Selanikut në vitin 2003:

"Për sa i përket çështjes së Ballkanit Perëndimor, jam plotësisht i bindur se 20 vjet pasi këtyre vendeve iu dha perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian në Selanik, tani duhet të arrijmë disi në pikën për ta bërë këtë. Ne jemi dakord për këtë.

Në të kaluarën, kam punuar shumë me vende të ndryshme individualisht për të siguruar që të mos ketë asnjë dylateralizim që do të pengonte suksesin e këtij procesi progresi dhe ne po punojmë që kjo të vazhdojë të jetë e mundur në të ardhmen", tha Scholz.

Reagimet vijnë pasi Komisioni Evropian ka rekomanduar fillimin e bisedimeve për tre grup-kapitujt brenda vitit në mbyllje, 2023.

Këta janë kapitujt më të rëndësishmëm pasi kanë të bëjnë me demokracinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe prokurorimet publike.

Por, që bisedimet të hapen duhet mbështetja unanime e 27 vendeve në Këshillin Europian të shteteve anëtare të BE.

Më 11 nëntor Greqia vendosi të mos i bashkohet shteteve të tjera anëtare të BE-së për të plotësuar kërkesën e komisionit Evropian drejtuar Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për tre grup-kapitujt e parë.

Vendimi grek erdhi si hakmarrje për qëndrimin ende në burg të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, arrestuar nën akuzë për shit-blerje votash.

Qeveria greke e konsideruan arrestimin dhe burgosjen e Fredi Belerit një "cënim të shtetit të së drejtës, shkelje të të drejtave civile dhe mosrespektim të të drejtave politike.”