
Elseid Hysaj doli në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kualifikuese ndaj Moldavisë, e cila do të luhet më 17 nëntor në transfertë, prej orës 18:00. Duke e ditur se nevojitet vetëm një pikë më shumë për të siguruar kualifikimin në finalet e “Gjermania 2024”, mbrojtësi ynë kuqezi tregoi uri më të madhe se kaq.
Ai kërkon fitore në kryeqytetin moldav, për ta nisur festën më shpejt se fundi i kësaj fushate kualifikuese, që përmban edhe sfidën përmbyllëse me Ishujt Faroe në “Arena Kombëtare”, më 20 nëntor. Ja fjala e tij para gazetarëve:
Sa të rëndësishme janë këto dy takime për kombëtaren tonë, vetëm një pikë larg kualifikimit zyrtar në “Gjermania 2024”?
Janë dy finale shumë të mëdha për ne, por duhet të mendojmë për Moldavinë fillimisht, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe kundërshtari po kalon një formë shumë të mirë. Ne e dimë mirë që duhet të shkojmë atje për të mos humbur, pasi edhe një pikë na nevojitet për t’u kualifikuar, por do të ishte më bukur të fitonim dhe të arrinim rekordin e pikëve.
Kualifikimi mund të vendoset në Moldavi. A ngjan kjo ndeshje me atë ndaj Armenisë më 2015?
Kanë lidhje, por si ndeshje duket më e thjeshtë, pasi na duhet vetëm një pikë në dy ndeshjet e nëntorit. Është një ndeshje me peshë, pasi nëse fitojmë, do të kthehemi të kualifikuar dhe ta bëjmë festë. Nëse humbim, do të na shtohet shumë presioni. Jemi të përgatitur për të shkuar dhe fituar, pasi duam të kthehemi të gëzuar dhe të festojmë me tifozët.
Pas rikthimit në mbrojtjen me 4 nuk po merrni më as kritika…
Kritika kam pasur gjithë jetën time, por nuk është problem, pasi rëndësi ka të arrijmë rezultatet që kemi si objektiv. Duam të shkojmë në Gjermani, por kritikat janë pjesë e futbollit dhe nuk përbëjnë problem.
A e keni përjetuar njëherë ndjesinë e Europianit më 2016, si është të luash në atë kompeticion?
Është një ndjesi e bukur, që nuk mund ta harrosh dhe shpresoj ta shijojnë edhe çunat e tjerë, por ta përsërisim edhe unë e Berisha, apo ndonjë tjetër.
Gjithë kjo ecuri e mirë e kombëtares ju motivon për të bërë më mirë, apo ju shton presionin në prag të këtyre dy sfidave?
Ne duhet të jemi të rritur në mentalitet, nuk duhet ta shohim si presion, por si një mundësi për t’u shfrytëzuar. Do të jetë e vështirë, por ne punojmë për këtë ditë dhe për ndeshje të tilla.
Skuadra po bën shumë mirë në mbrojtje, pasi ka pësuar vetëm 3 gola. A është kjo mbrojtja më e mirë që ka pasur kombëtarja?
Ne e kemi pasur gjithmonë mbrojtjen e fortë, por statistikat flasin vetë. Nëse shifrat thonë që kjo është më e mira, atëherë e konfirmoj edhe unë.
Çfarë vlerësoni më tepër te Moldavia, që është kthyer në një kockë të fortë në grup?
Është një skuadër që nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi. Rri mbrapa dhe del shpejt në kundërsulm për të gjetur golin. Ne e kemi përgatitur kështu, që të shfrytëzojmë mundësitë tona dhe të gjejmë golin.
Çfarë note do t’iu jepnit këtyre kualifikueseve?
Notën do ta vendos pas këtyre dy ndeshjeve, kur të ketë përfunduar edicioni eliminator.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





