Kombëtarja shqiptare i nisi dje zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet ‘finale’ ndaj Moldavisë, më 17 nëntor, dhe Ishujve Faroe më 20 nëntor. Kuqezinjtë zhvilluan pasditen e djeshme seancën e parë stërvitore në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Ata kanë punuar fillimisht në palestër, ndërsa më pas kanë dalë në fushën e lojës, ku kanë zhvilluar stërvitjen e parë zyrtare.
Departementi i Komunikimit në FSHF bën me dije se në këtë seancë të parë, nën drejtimin e trajnerit Silvinjo janë stërvitur 8 lojtarë, nga 18 që kanë mbërritur tashmë në grumbullim. Pjesa tjetër e lojtarëve janë lënë pushim nga trajneri për shkak të impenjimit ditën e diel me klubet respektive në Europë. Në bashkëpunim me ekipin kombëtar U-21, kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore të përbashkët.
Sakaq, Kristjan Asllani iu është nënshtruar ditën e djeshme kontrolleve mjekësore dhe ka rezultuar që nuk ka probleme fizike. Gjithsesi, lojtari i Interit ka zhvilluar stërvitje të diferencuar dhe pritet t’i bashkohet grupit sot.
Mario Mitaj, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Mirlind Daku dhe së fundi Jon Mersinaj iu bashkuan në mbrëmje ekipit kuqezi, ndaj do të marrin pjesë rregullisht në seancën e radhës stërvitore, që do të zhvillohet sot.
Kombëtarja do të qëndrojë në Tiranë deri të enjten në mëngjes, për t’u nisur më pas drejt Moldavisë, ku pasdite do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore. Ndeshja Moldavi-Shqipëri do të luhet në stadiumin ‘Zimbru’, Chisinau, duke nisur nga ora 18:00. Më pas, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Tiranës, ku më 20 nëntor do të presin Ishujt Faroe, me ndeshjen që do të luhet në ora 20:45 në stadiumin ‘Arena Kombëtare’.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd