Transmetuar më 11-11-2023, 15:19

Zemra e tradhtoi aty në fushën e lojës, që e donte më shumë se gjithçka tjetër. Minuta e 24-t e lojës, në ndeshjen Egnatia-Partizani, ishte fatale për golashënuesin më të mirë të Kategorisë Superiore në vendin tonë. Raphael Dwamena do të lëkundej fillimisht, pastaj do të shembej përtokë pa ndjenja.

Ndërhyrja e shpejtë e stafeve mjekësore e ka përmendur për momentin, por më pas ka marrë një goditje të dytë në zemër, e cila e ka ndarë nga kjo jetë në moshën 28-vjeçare kapitenin e Egnatias, sulmuesin e spikatur afrikan, që prej janarit luante në futbollin shqiptarë dhe i kishte bërë fansat rrogozhinas të dashuroheshin me të si futbollist.

Një lajm shumë i trishtë, dramatik, që ka shokuar mbarë futbolldashësit shqiptarë, por jo vetëm. Një tjetër tragjedi që iu shtohet të tjerave, të ndoshura në fushat e futbollit botëror, ku më i freskëti për nga koha është arresti kardiak i Cristian Eriksen në finalet e “Euro 2020”.

Megjithatë, ylli danez ia doli të mbijetonte, edhe pse kaloi gati 5 minuta pa shenja jete, dhe tashmë luan te Manchester United. Fat krejt i ndryshëm për Dwamena,i cili me humbjen e jetës në mënyrë kaq tragjike ka tronditur Egnatian, kapiten dhe kryegolashënues i së cilës ishte, por edhe krejt futbollin shqiptar e më gjerë.

https://noa.al/lajmi/2023/11/2411086.html

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd