Transmetuar më 11-11-2023, 14:36

Kishte nisur vrullshëm dhe me spektakël nga të dyja skuadrat kryendeshja e javës së 13-të të Superiores, Egnatia-Partizani. Në stadiumin e mbushur plot të Rrogozhinës “përplasnin brirët” dy kryesuesit e Superiores, Egnatia dhe Partizani.

Loja vijoi e zjarrtë deri në minutën e 24-t, kur sulmuesi i skuadrës vendëse, Raphael Dwamena u plandos në fushë pa ndjenja, duke shkaktuar tmerr te të gjithë të pranishmit. Nuk ndodhi asnjë përplasje apo dyluftim me kundërshtarin, futbollisti u lëkund dhe rrëzua në tapetin e blertë kur po largohej i vetëm nga zona e Partizanit.

Lojtarët e dy skuadrave kanë vrapuar drejt tij, duke e kthyer nga përmbys, sikurse ra, ndërsa stafet mjekësore të dy skuadrave kanë rendur si rrufe, duke i dhënë ndihmën e parë. Pa asnjë vonesë ka hyrë në fushë edhe ambulanca, e cila e ka transportuar futbollistin afrikan drejt spitalit.

Heshtja dhe makthi i ka pllakosur të gjithë, ndërsa luteshin për shëndetin e kapitenit të Egnatias. Të gjithëve iu është kujtuar rasti i Cristian Eriksen në finalet e “Euro 2020”, kur pësoi arrest kardiak në fushën e blertë, duke luajtur me Danimarkën e tij, dhe për gati 5 minuta nuk pati shenja jete.

Gjasat janë që nga e njëjta gjë ta ketë pësuar sot edhe Dwamena, sepse më parë ka pasur probleme me zemrën. Situata mbetet tejet e nderë, në pritje të lajmeve shterruese që do të vijnë për gjendjen kritike shëndetësore të kapitenit të skuadrës rrogozhinase, ndërkohë që ndeshja u ndërpre, me lojtarët e traumatizuar, të pamundur për të vazhduar.

Informacionet e para nga spitali i Rrogozhinës kanë saktësuar se sulmuesi i Egnatias është përmendur pasi ka vajtur atje, por është dërguar drejt spitalit të Tiranës për ekzaminime dhe kontrolle më të detajuara mjekësore. Në momentin e kësaj ngjarjeje vërtet shokuese, rezultati i ndeshjes ishte 1-1.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd