
Gazeta e madhe greke “Kathimerini” hapet me këtë titull sot, duke iu referuar zhvillimeve në aksin Athinë-Tiranë, ku çështja Beleri i ka acaruar së tepërmi marrëdhëniet mes fqinjëve. Ja shkrimi i plotë i kësaj mediaje të njohur helene:
“Një përshkallëzim thelbësor i qëndrimit të ashpër ndaj Tiranës për shkak të shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të kryebashkiakut të burgosur të Himarës, Fredi Beleris, përfaqëson vendimi i Greqisë për të mos dhënë pëlqimin në një letër të përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së, që Shqipëria të nisë negociatat për grupin e parë të fondeve të anëtarësimit.
Megjithëse u gjet një formulë për të çuar përpara negociatat për këtë kapitull specifik me Maqedoninë e Veriut, pasi Bullgaria pranoi propozimin e kompromisit të paraqitur nga presidenca spanjolle, kjo nuk u bë për Shqipërinë.
Përtej efektit që ka qëndrimi i qeverisë së Edi Ramës për çështjen Beleri në marrëdhëniet greko-shqiptare, në këtë mënyrë në thelb krijon një ingranazh të ndryshëm për çiftin e kandidatëve për anëtarësim në BE.
Kujtojmë se kandidaturat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të lidhura, ndaj ky zhvillim përbën një shkëputje praktike të dy proceseve.
Pesë kapitujt – Vlen të theksohet se paketa e parë për çështjet themelore që duhet të zgjidhë çdo vend kandidat përfshin pesë kapituj, përkatësisht ata që kanë të bëjnë me:
Së pari, gjyqësori dhe të drejtat themelore.
Së dyti, drejtësia, liria dhe siguria.
Së treti, prokurimi publik.
Së katërti, statistikat.
Dhe së pesti, kontrolli financiar.
Kujtohet se vetëm pak ditë më parë është bërë publik progres-raporti i këtyre dy kandidatëve për anëtarësim në BE. Ky raport shprehet, me një referencë indirekte, por jo të qartë për ndërlikimet e shkaktuara nga çështja Beleri në marrëdhëniet greko-shqiptare.
Është e qartë se Athina mund të rishikojë qëndrimin e saj nëse Tirana ecën përpara, tregon se ka vend për diskutim dhe jo shfaqje force nga ana e zotit Rama, brenda apo jashtë.
Kujtohet se Athina ka kërkuar në të gjitha nivelet e mundshme që zotit Beleris t’i jepet mundësia për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, gjë që deri tani është refuzuar nga gjykatat shqiptare.
Më 22 nëntor do të zhvillohet mbledhja e radhës e gjykatës antikorrupsion, ku z. Beleris po gjykohet, por ndërkohë pritet të caktohet një seancë e re për lejen e posaçme që ai kërkon për të bërë betimin. Është vendosur që të mblidhet sërish gjykata speciale (GJKKO), e cila u caktua nga Gjykata e Lartë Shqiptare si kompetente për të vendosur nëse z. Beleris do të lirohet nga burgu sa për të bërë betimin apo jo.
Hera e fundit që gjykatat shqiptare refuzuan një kërkesë të tillë ishte më 26 qershor, ndërkohë që kërkesat e shumta të avokatëve të z. Beleris për kryerjen e betimit u refuzuan nga autoritetet shqiptare.
Rruga është sigurisht e gjatë deri në finalizimin e procesit për zotin Beleris, ndërsa muajin e ardhshëm do të intensifikohen diskutimet në nivel europian për progresin e Shqipërisë.
Ndonëse në Athinë presionet janë të shumta dhe nga drejtime të shumta, në të njëjtën kohë ekziston edhe perceptimi i qëndrimit konstruktiv që Greqia mban pa ekstreme, por me respekt të plotë për mjetet që ka çdo vend anëtar i BE-së. Ajo ka mundësinë, edhe në këtë rast, t’i përdorë mjetet që ka në dorë”.