Transmetuar më 11-11-2023, 08:02

Zbardhen të tjera detaje në lidhje me vrasjen e Arjanit Rizajt në Ekuador. Mësohet se viktima ishte bashkë me gruan dhe të afërm të saj kur iu bë atentat. Së bashku e kanë nxjerrë nga makina dhe e kanë dërguar në krahë në urgjencën e spitalit, por mjekët nuk i kanë hapur dyert, ndaj është dashur ta çojnë në një klinikë private ku ka ndërruar jetë pak minuta pas shtrimit.

Aranit Rizaj

Viktima ndodhej brenda makinës me targë GSM-2390 kur u sulmua në Guayaquil nga dy persona që mbërritën në vendngjarje me një motoçikletë. Bashkëshortja e 53-vjeçarit tha për policinë se kishin mbërritur pak minuta para atentatit në urgjencë për të vizituar një të afërm që kishin shtruar atje. Mes të tjerash mësohet se Rizaj kishte arritur të merrte dokumente ekuadoriane. Aktualisht vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Mbrëmë u publikuan pamjet ku shihej shqiptari i shtrirë në tokë dhe i plagosur, ndërsa gruaja dhe të afërm i qëndrojnë në kokë, ndërsa disa të tjerë tentojnë që të hapin derën e spitalit për ta futur brenda. Ata dëgjohen duke bërtitur “është gjallë, hapni derën”, në mënyrë që të ndërhyjnë mjekët për ta ndihmuar, por dera nuk hapet deri në momentin që vjen një efektiv policie.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd