
Një megaoperacion është zhvilluar sot në të gjithë vendin për kapjen e personave me armë dhe të atyre të shpallur në kërkim. Në kuadër të operacionit “Sundimi i Ligjit” për të cilin janë angazhuar forcat RENEA dhe ato operacionale kanë rënë në pranga 25 persona, 19 prej tyre ishin të shpallur në kërkim kombëtar, një tjetër në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë 5 të tjerë u arrestuan pasi u kapën me armë dhe drogë.
Konkretisht, në Dibër është kapur një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, i akuzuar për vrasje dhe për grabitje me armë.
Në Tiranë dhe Durrës janë arrestuar 4 persona, subjekte të SPAK-ut, të shpallur në kërkim për drogë dhe plagosje të rëndë me dashje.
Ndërsa 15 të tjerë nga të shpallurit në kërkim, janë arrestuar për raste të tjera në fushën e narkotikëve në qarqet Tiranë, Vlorë dhe Berat; për vjedhje në Tiranë dhe në Fier ose për veprimtari të tjera kriminale, janë kapur dhe janë vënë në pranga.
Si pasojë janë sekuestruar:
-3 armë zjarri (pushkë dhe 2 pistoleta), armë gjahu dhe municion luftarak janë sekuestruar nga Policia, në Dibër, Tiranë dhe në Fier. Të katër poseduesit e tyre janë vënë në pranga;
-61.5 gramë kokainë dhe 500 doza cannabisi janë sekuestruar në Tiranë dhe në Dibër, si dhe janë arrestuar në flagrancë 2 shtetasit që i posedonin lëndët narkotike, me qëllim shitjen.