
Mustafa Özil, babai i ish-lojtarit të Real Madridit, Mesut, është shprehur i zhgënjyer me përfundimin e karrierës së djalit të tij. Në deklaratat e raportuara nga gazeta gjermane "Sport Bild", Mustafa foli për ndarjen e Mesut, tashmë i tërhequr nga futbolli, me kombëtaren gjermane pas eliminimit në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2018.
Një foto e ish-lojtarit pranë presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i konsideruar në Gjermani si një autokrat i ftohtë, provokoi një valë kritikash ndaj Mesut dhe mesfushori nuk u mendua dy herë: dha dorëheqjen nga "Mannschaft" për shkak të "mungesës së respektit dhe racizmit".
Pesë vite më vonë, babai i tij fajëson agjentin e djalit: “Mesut në atë kohë këshillohej nga Erkut Sögüt. Pyes veten: Si mund të lejohet një dorëheqje e tillë nga kombëtarja gjermane? Mesut u zgjodh pesë herë si ndërkombëtari më i mirë i vitit nga tifozët.
Ai mori "Bambi" (çmimi i dhënë nga kompania gjermane "Hubert Burda Media") për integrimin e suksesshëm te Gjermania. Ato janë nderime të mëdha, një njohje e arritjeve të tij. Dhe pastaj një lamtumirë si kjo? Nuk duhej të ndodhte kurrë. Si agjent duhet të veprosh ndryshe, sepse ai ka përgjegjësi ndaj lojtarit të vet”.
Babai i Mesut shtoi si më poshtë: “Diçkaje mund t’i japësh fund, por gjithmonë me elegancë dhe duke e lënë derën hapur. Do të kisha ftuar gazetarët në një konferencë shtypi "live" dhe do të isha larguar siç duhet, jo përmes Twitter.
Çfarë kuptimi ka? Mesut po ndikohej nga agjenti i tij, nuk ishte mirë për të. Nuk mund të thuhet se Gjermania është ksenofobike, se vendi në të cilin ka lindur nuk i ka dhënë mundësi. Ato deklarata nuk vijnë prej tij, nuk është ai. Sinqerisht, kam ndjenjën se Mesut u ndikua nga agjenti”.
Mustafa ka folur edhe për largimin e djalit të tij nga Real Madrid. “Kur u bë e qartë se Mesut do të largohej nga Real Madridi, ishin vetëm dy klube me të cilat hymë në negociata konkrete: Arsenali dhe PSG. Karriera e Mesut shkoi shumë mirë deri në vitin 2018, sa ishte edhe kohëzgjatja e kontratës së tij me Arsenalin.
Ai u transferua në Angli në vitin 2013 si futbollisti gjerman më i shtrenjtë në histori, deri në atë kohë. Trajneri Arsène Wenger e kishte rindërtuar ekipin posaçërisht për Mesut, duke përshtatur stilin e lojës. Në atë kohë, Real Madridi nuk kishte bërë kurrë aq para me një lojtar sa me Mesut. Kësaj duhet t’i shtojmë kontratën e madhe reklamuese me "Adidas". Gjërat nuk mund të shkonin më mirë”.
Në fakt, gjërat nuk mund të shkonin vërtet më mirë, por deri në Botërorin 2018 dhe eliminimin e hershëm të Gjermanisë. Megjithatë, babai i një prej talenteve të mëdha të futbollit europian nuk i ka humbur shpresat për një pajtim mes djalit të tij dhe vendit ku ka lindur:
“Dëshira ime e madhe do të ishte që një ditë të punonte në DFB (Federatën Gjermane të Futbollit), për shembull në menaxhim, si këshilltar apo në integrimin e të huajve. Për mua, Mesut vazhdon të jetë sinonim i një integrimi të suksesshëm, nëse lëmë mënjanë tërheqjen e tij nga kombëtarja në vitin 2018”.