Transmetuar më 09-11-2023, 12:31

Godet pa mëshirë Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së. Ky organ juridik i futbollit jo vetëm ka marrë masa ndaj shkeljeve të vërejtura në javën e fundit të kampionateve kombëtare, por edhe ka pezulluar merkatot e tri klubeve të Superiores.

Shkak është bërë mos shlyerja e detyrimeve financiare ndaj të tretëve, sipas vendimeve të marra. Më konkretisht, Tiranës, Skënderbeut dhe Dinamos iu janë bllokuar tri merkatot e radhës (janar 2024, verë 2024 dhe janar 2025). Ky dënim mund të hiqet vetëm nëse klubet e sipërpërmendura paguajnë detyrimet.

Ja vendimet e plota të Disiplinës:

1. KF Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;

2. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;

3. Zyrtari i FK Apolonia, Robert Caushaj, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë;

4. Lojtari i KF Butrinti, Ardit Jaupaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë

5. Zyrtari i KF Butrinti, Dhiogjen Muço, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë

6. KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 5, datë 09.07.2021 dhe vendimit nr. 5, datë 02.06.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

7. FC Dinamo, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 2, datë 06.03.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

8. KF Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 1, datë 10.06.2022 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

9. Pranimin e kërkesës së FC Dinamo për konvertimin të pjesës së mbetur të dënimit për lojtarin Bakary Goudiaby në bazë të nenit 75 të KDE.

10. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Teuta, Fatmir Koci, pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 34/1 të KDE, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.

11. Rrëzimin e kërkesës së zyrtarit të KF Tirana, Akil Jakupi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.

12. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Besëlidhja, Klejdi Dibra, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.