Transmetuar më 09-11-2023, 11:00

TIRANË- Presidenti Bajram Begaj, priti sot të Ngarkuarin me Punë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili i dorëzoi Raportin e Progresit për vitin 2023 të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Begaj vlerësoi konkluzionet e balancuara dhe inkurajuese të Raportit të Komisionit 2023 për Shqipërinë dhe Planin e Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Kreu i Shtetit vlerësoi, njohjen nga Komisioni Evropian të ecurisë së proceseve të reformave në Shqipëri, në veçanti reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Begaj rikonfirmoi mbështetjen e tij të palëkundur për institucionet shqiptare në përmbushjen e prioriteteve.

“Shqipëria është, gjithashtu, e angazhuar për krijimin e një ekonomie funksionale, e cila mund të ndihmojë përmirësimin e integrimit të plotë të vendit tonë në tregun e vetëm të BE-së. Ne i vlerësojmë thellësisht përpjekjet e Komisionit Evropian për ta përshpejtuar integrimin ekonomik përmes Planit të Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”.

“Në cilësinë time si President i Shqipërisë dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët tanë dhe partnerët ndërkombëtarë se do të vazhdoj të jem i angazhuar për avancimin e procesit të integrimit europian, i cili mbetet objektivi ynë kryesor kombëtar”, – u shpreh Begaj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd