
Bruksel- Komisioni Evropian i rekomandoi sot liderëve evropianë për vendimarrje në samitin e 14-15 dhjetorit hapjen e kapitujve të parë të negociatave. Bëhet me dije se komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi u tha eurodeputetëve se kjo duhet realizuar brenda fundit të këtij viti.
Varhelyi theksoi se ky rekomandim pozitiv reflekton arritjet e Shqipërisë në reformën në drejtësi, vettingun dhe punën e SPAK.
“Procesi i shqyrtimit të legjislacionit shqiptar në muajt e fundit ka ecur pozitivisht dhe pa probleme. Autoritetet e Shqipërisë kanë dëshmuar një nivel të lartë përkushtimi për të realizuar kërkesat e paraqitura gjatë këtij proçesi. Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë ka vijuar suksesshëm dhe po ashtu procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve i quajtur vetingu, po ecën kënaqshëm.
Struktura speciale për luftën anti korrupsion SPAK ka vijuar të arrijë rezultate konkrete. Shqipëria ka dëshmuar po ashtu qasje të plotë e të njëjtë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së duke na dhënë një sinjal të fuqishëm të vendosmërisë të këtij vendi për tu anëtarësuar plotësisht në BE. Objektivi ynë është që të hapim kapitullin e parë të negociatave atë mbi çështjet themelore brenda fundit të vitit 2023 me Shqipërinë”, Varhelyi.