Transmetuar më 08-11-2023, 09:55

Milani mori mbrëmë një fitore tepër të çmuar, që mban gjallë shpresat për kualifikim në grupin e Champions League. Ndaj PSG ishte një sfidë për “jetë a vdekje”, e kaluar me sukses, në një moment krize për kuqezinjtë.

Kthesë e rëndësishme për “Djallin”, falë lojtarëve cilësorë që ka në përbërje, të cilët apelojnë në emër të bashkimit. Të tillë janë Leao dhe Giroud, që shënuan dy golat ndaj parizienëve, por edhe Theo Hernandez. Ata e konsiderojnë mbrëmje krenarie për popullin kuqezi atë të mbrëmshme.

Rafael Leao – Portugezi rikthehet si protagonist në natën më të rëndësishme për Milanin. Goli i katërt sezonal për sulmuesin portugez, i zgjedhur MVP i ndeshjes kundër PSG-së: "Sonte, çmimi shkon për të gjithë ekipin. Iu treguam të gjithëve se çfarë jemi në gjendje të bëjmë në shtëpi.

Jam krenar për ekipin, bëmë një punë të jashtëzakonshme. Ndihem shumë i lumtur, e dija që ishte një ndeshje që mund të ndryshonte gjithçka. Fitorja ishte gjëja më e rëndësishme, ky sukses na jep besim. Kritikat më shtyjnë përpara, unë vazhdoj të flas vetëm në fushë. Ajo që bëmë sonte do të thotë se së bashku mund t’ia dalim. Ne besojmë te kualifikimi.

Sfida e fituar me Mbappe dhe nëse mendoj për ‘Topin e Artë’? Mbappé është Mbappé, ai është një model për mua. Sidoqoftë, unë bëj punën time, bëj Rafa-n dhe e çoj skuadrën përpara".

Theo Hernandez – “Natë e pabesueshme, e dinim që ishte një ndeshje e vështirë. Falë vendosmërisë sonë erdhi kjo fitore. Kaluam momente të vështira, edhe me tifozët që na shanë një ditë më parë, por është normale kur Milani nuk fiton, – deklaroi pas ndeshjes Theo Hernandez.

– Kemi punuar mirë dhe po mendojmë për ndeshjen e radhës. E dinim që PSG sulmonte shumë dhe falë shfrytëzimit të hapësirave arritëm t’i shënonim dy golat. Tani duhet të përqendrohemi te vetja, çfarë thonë të tjerët nuk kanë rëndësi për ne. Jemi të gjithë të bashkuar si ekip, edhe me tifozët".

Oliver Giroud – "Ne donim të reagonim pas ndeshjeve të fundit dhe sonte ishte mbrëmja perfekte. Krijuam shumë raste, ishim konkretë dhe në të tilla ndeshje, këto janë gjërat që bëjnë diferencën, – tha Olivier Giroud, golashënues i fitores ndaj PSG.

– Ne bëmë gjithçka që trajneri na kërkoi të bënim, nuk bëmë gabime të caktuara. Ne e dimë se Liga e Kampionëve është e veçantë për Milanin. Donim të jepnim gjithçka për tifozët tanë që kënduan nga fillimi në fund. Më pëlqen ta shoh këtë atmosferë festive. Jam krenar për këtë Milan, tani duhet të vazhdojmë kështu për të shkuar në 1/8 finale.

Pastaj, kur shënoj gola vendimtarë si sonte, jam edhe më krenar. Edhe në moshën 37-vjeçare kam ende emocione të çmendura. Më pëlqen të shënoj gola të tillë. Theo bëri një krosim të mrekullueshëm, unë fitova duelin me Skriniar dhe e dërgova topin në rrjetë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd