
Stefano Pioli foli në fund të Milan-PSG 2-1, një ndeshje ku kuqezinjtë arritën suksesin e parë të sezonit në Champions League. Falë fitores së mbrëmshme në “San Siro”, kuqezinjtë janë rikthyer me ritëm të plotë në garën për kualifikimin në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.
“Djalli” do të bëjë gjithçka në dy ndeshjet e fundit në grup kundër Borussia Dortmund dhe Newcastle për të përparuar më tej në kompeticionin më të rëndësishëm për klubet në Europë. Duke folur pas ndeshjes, Pioli nënvizoi ndër të tjera:
"Është e qartë se unë do të doja gjithmonë një Milan si ky. Të shtunën bëmë një gabim të madh, por kjo skuadër ka mënyrën e vet të lojës dhe të qenurit në fushë. Këto ndeshje flasin shumë, vuajtëm, parizienët e mbajtën topin më shumë, por kishim mundësi për të shënuar më shumë gola.
Bëmë një hap të rëndësishëm përpara, por fati i të kualifikuarve në grup do të vendoset vetëm në ndeshjen e fundit. Tani kemi një përplasje direkte me Dortmundin, që është dy pikë përpara nesh, mund të jetë vendimtare.
Paraqitja e Leaos? Ky duhet të jetë standardi i tij. Rafael mund të jetë kampion, por kjo varet vetëm nga ai. Luajti një ndeshje të jashtëzakonshme, si gjithë të tjerët, jo vetëm nga cilësia, por edhe nga dëshira.
Ecuria e ndeshjes? Ne bëmë atë që duhej të bënim, luajtëm me shpirtin e duhur. Bëmë një përpjekje të jashtëzakonshme për të ribashkuar një ekip të madh. Urime djemve. Ishte një ndeshje e rëndësishme për grupin. Nuk është vendosur asgjë, tani do të luajmë në shtëpi kundër Dortmundit. Sonte iu dhuruam tifozëve një mbrëmje të mrekullueshme pas zhgënjimit të së shtunës.
Dallimet mes Ligës së Kampionëve dhe Serie A? Nuk është një Milan ndryshe. Nuk ishim në vështirësi kundër Juves dhe Napolit, paguam shtrenjtë disa gabime. Sonte shpenzuam shumë, por duhet të zhytemi përsëri në kampionat, menjëherë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





