Transmetuar më 07-11-2023, 21:01

Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha ka njoftuar sot se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët e paligjshëm.

Nënkryetari Kreshnik Çollaku tha sot se në emër të Partisë Demokratike, "do t’i drejtohemi dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të vlerësuar përputhshmërinë me ligjet e Kushtetutën e vendit, të marrëveshjeve të tilla me një impakt kaq të gjerë social".

Pas tij, përforcoi Basha i cili konfirmoi të njëjtën tezë kur tha se "ndërkohë që do të marrim informacionin e nevojshëm, do të përgatisim që këtë çështje ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Askush nuk mund të marrë vendime të tilla, pa u konsultuar me shqiptarët, qoftë përmes institucioneve, por pse jo edhe përmes referendumeve", – tha Basha në deklaratën e tij.

Lëvizja e Bashës është e ngjashme me atë të Ramës kur ishte në opozitë dhe dërgoi në Kushtetuese marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufijtë detarë.

Kjo marrëveshje ende dhe sot mbetet në ujëra të turbullta dhe palët nuk kanë bërë asnjë përparim pasi Gjykata jonë Kushtetuese e shpalli atë si të paligjshme. /noa.al

Në foto: Basha në një takim para pak ditësh me një fermer në Bubq